Altun: Interesi i Turqisë në Afrikë është i sinqertë

Dje në Stamboll filloi samiti dyditor që shënon Ditën e Afrikës, raporton Anadolu Agency (AA).

Në fjalën e tij hapëse në Samitin e Medias Turqi-Afrikë, kreu i Komunikimeve të Presidencës së Turqisë, Fahrettin Altun, tha se shpreson se samiti “do të forcojë miqësinë tonë, do të na mundësojë të njihemi më mirë me njëri-tjetrin dhe të krijojmë mundësi të reja bashkëpunimi në fushën e medias”.

Duke shtuar se marrëdhëniet Turqi-Afrikë kanë marrë vrull në 20 vitet e fundit, ai tha se interesi i Turqisë ndaj kontinentit afrikan bazohet në “barazinë dhe përfitimin e ndërsjellë”.

Duke kujtuar se Turqia mori statusin e vëzhguesit në Bashkimin Afrikan në vitin 2005, si dhe mori pjesë dhe organizoi shumë samite, duke përfshirë samitin e fundit të Partneritetit Turqi-Afrikë në Stamboll në dhjetor, Altun tha: “Interesi i Turqisë në Afrikë është i sinqertë, afatgjatë dhe i bazuar në parimi win-win”.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, deri më tani ka bërë 50 vizita në 30 vende afrikane, shtoi Altun, të cilat, sipas tij, kanë kontribuar në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe.

“Aftësia e Turqisë për ta parë veten si një partner të vërtetë me shtetet afrikane, që të shpreh këtë mendim dhe për të gjetur përgjigje ndaj këtyre ndjenjave nga miqtë tanë afrikanë, rrjedh drejtpërdrejt nga fakti se në historinë tonë nuk ekziston kolonializmi”, tha ai.

Duke vlerësuar përpjekjet e korrespondentëve të Anadolu Agency që raportojnë në Afrikë, ai tha se hapja e TRT French ishte gjithashtu një “zhvillim i mirë”.

“Kështu, ne kemi zbatuar një projekt të rëndësishëm për të bërë që zëri i Afrikës të dëgjohet në botë dhe për të ofruar informacion të saktë rreth Turqisë në vendet frëngjishtfolëse”, tha ai.

“Gjithashtu besojmë se mund të ofrojmë një promovim më të mirë të Afrikës në Turqi me këto mjete”, shtoi ai.

Turqia gjithashtu dëshiron një “bashkëpunim të fortë” me të gjitha vendet afrikane në luftën kundër dezinformimit, theksoi ai.

Gjatë samitit, të organizuar nga Kryesia e Komunikimit të Presidencës së Turqisë, do të diskutohen një sërë çështjesh, duke përfshirë sfidat post-pandemike në gazetari, gazetarinë nën rrethimin digjital dhe gratë në gazetari.

Në këtë samit marrin pjesë 80 persona nga bota e medias nga 45 vende afrikane, diplomatë afrikanë, zyrtarë publikë dhe anëtarë të shoqërisë civile.

Programi synon të forcojë bashkëpunimin e Ankarasë me mediat dhe profesionistët afrikanë. /aa