Ambasada e Britanisë në Kosovë ka kërkuar nga këto dy subjekte politike Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovë që të tejkalojnë dallimet në mes tyre dhe të formojnë Qeverinë e re.
Përmes një komunikate për media ambasada britanike në Kosovë, thotë se pas më shumë se 12 javë që nga zgjedhjet e 6 tetorit, Kosovës i duhet një Qeveri e re.
Ajo ka përmendur çështjet urgjente, siç janë buxheti, arsimi si dhe vendimet administrative të bllokuara duhet të adresohen, përcjell lajmi.net.
“Më shumë se 12 javë që nga zgjedhjet e 6 tetorit, Kosovës i duhet një qeveri e re. Çështjet urgjente siç janë buxheti, arsimi si dhe vendimet administrative të bllokuara duhet të adresohen. Të dyja, Vetëvendosje dhe LDK, të cilat qartazi kanë fituar zgjedhjet, duhet të punojnë së bashku që të tejkalojnë dallimet në mes tyre dhe të formojnë qeverinë që do të adresojë çështjet më me prioritet të popullit të Kosovës”, thuhet në njoftim.
Tutje kjo ambasadë thotë se respekti për votuesit dhe Kushtetutën do të thotë vullnet për të punuar sinqerisht së bashku
“Ato duhet të bëjnë këtë në frymën e tolerancës, duke pranuar qasjet e tyre të ndryshme të qeverisjes. Respekti për votuesit dhe Kushtetuten do të thotë vullnet për të punuar sinqerisht së bashku për t’i treguar vendit se ata munden të ofrojnë lidership për ndryshimin”, thuhet në fund të njoftimit.
Gjatë ditës sotme, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett ka takuar veç e veç, liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, si dhe me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, për t’u informuar lidhur me ecurinë mbi mundësinë e arritjes së një marrëveshje për koalicioni qeverisës.
Kujtojmë se deri sot presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i ka dërguar tri ftesa për takim konsultativ kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili konsiderohet si kandidati kryesor për kryeministër të Kosovës. Por, Kurti ka refuzuar dy ftesat e para, ndërkaq, ftesës së tretë i është përgjigjur duke thënë se nuk do të mund të takohet më 31 dhjetor me presidentin dhe ka kërkuar që ky takim të mbahet më 6 janar.








