“Amnisti e pjesshme” nga qeveria spanjolle për politikanët katalanas

Kryeministri i Qeverisë së koalicionit të majtë spanjoll, Pedro Sanchez, deklaroi se në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, është miratuar amnistia për 9 politikanët e arrestuar Katalanas.

Në deklaratën që bëri pas mbledhjes së kabinetit, ku vendimi për amnistinë u miratua me shumicë votash, Sanchez tha: “Ne nuk presim nga ata që të ndryshojnë mendim. Pasi këta njerëz nuk janë dënuar asnjëherë për shkak të mendimeve të tyre”.

Amnistia në fjalë është e “pjesshme”, e vazhdoi fjalën Sanchez, duke sqaruar se megjithëse dënimet me burgim janë anuluar plotësisht, do të vazhdojë të qëndrojë në fuqi dënimi që i pengon ata të mbajnë funksione publike dhe amnistia mund të anulohet nëse këta persona do të kryejnë ndonjë vepër të rëndë penale brenda 3-6 vjetëve.

Sanchez tha se qeveria e mori këtë vendim amnistie, pasi beson se kjo është në dobi të opinionit publik dhe është e nevojshme për të lënë mënjanë ndasitë, kundërshtitë dhe hapur një faqe të re.

Amnistia përfshin Carles Puigdemond, ish-kryeministri i qeverisë autonome të Katalonjës dhe për momentin anëtar i Parlamentit Evropian, i cili është shmangur drejtësisë spanjolle dhe arratisur jashtë vendit, si dhe 6 ish-anëtarë të qeverisë katalanase.

Nga ana tjetër amnistia e qeverisë është pritur me kritika nga qarqet e ndryshme politike. /trt