Ballina Autorë Opinione Anatomia e një sistemi që nuk rrëzohet… derisa humbet të ardhmen

Anatomia e një sistemi që nuk rrëzohet… derisa humbet të ardhmen

Vehap Kola

Aty ku duket se është forca e një pushteti, në fakt është dobësia e tij!

Nga Vehap Kola

Analizat mbi pushtetin zakonisht fillojnë me institucionet. Kush kontrollon parlamentin? Kush kontrollon gjykatat? Administratën? Median? Paratë? Këto janë pyetje të rëndësishme, por jo pyetja më e rëndësishme.

Pyetja vendimtare është tjetër: çfarë e bën një sistem të besojë se do të vazhdojë të ekzistojë edhe nesër?

Këtu fillon anatomia e vërtetë e pushtetit.

Rama mbahet në pushtet sepse ka ndërtuar një sistem ku qendrat alternative të pushtetit janë dobësuar ose janë bërë të varura prej tij. Por sa sisteme të forta bien në mënyrë të shpejtë? Historia politike është plot me regjime që, disa muaj para rënies, dukeshin po aq të pathyeshme.

Prandaj, një regjim nuk mbijeton vetëm sepse është i fortë. Ai mbijeton sepse arrin t’i bindë njerëzit se është e kotë të imagjinojnë një alternativë. Pushteti nuk mbahet vetëm me kontroll institucional por qëndron në këmbë edhe sepse njerëzit e konsiderojnë ende të pranueshëm. Në momentin që qytetarët nuk mendojnë më për një të ardhme tjetër, pushteti nuk ka më nevojë të fitojë çdo debat por jafton të administrojë të tashmen.

Prandaj regjimet moderne nuk investojnë vetëm në polici, në prokurori, në sistemin financiar apo në administratë por investojnë shumë në prodhimin e realitetit. Ato përcaktojnë se çfarë quhet zhvillim, kush quhet ekspert, kush quhet ekstremist, çfarë është e mundur dhe çfarë është utopi.

Kësisoj, pushteti politik bëhet pushtet mbi imagjinatën.

Në këtë kuptim, Edi Rama nuk ka ndërtuar vetëm një shumicë parlamentare solide por ka ndërtuar një mënyrë të të menduarit për Shqipërinë ku zhvillimi identifikohet me betonin, modernizimi me fasadën, lidershipi me njeriun e vetëm, shteti me qeverinë dhe interesi kombëtar me projektet personale të kryeministrit.

Fitorja më e madhe e çdo regjimi është kur kundërshtarët fillojnë të debatojnë brenda gjuhës së tij.

Por pikërisht këtu fillon edhe dobësia.

Historia nuk njeh asnjë regjim që është rrëzuar sepse papritur ka humbur kontrollin mbi institucionet sepse nstitucionet zakonisht bien të fundit. Ai që shembet i pari është besimi se e ardhmja i përket ende regjimit.

Një ditë, njerëzit ndalojnë së besuari se pushteti është i përhershëm. Elitat fillojnë të dyshojnë. Administrata fillon të llogarisë jetën pas pushtetit. Oligarkët fillojnë të diversifikojnë aleancat. Diplomatët ndryshojnë gjuhën. Gazetarët fillojnë të bëjnë pyetje që dje nuk i bënin. Artistët çlirohen nga frika. Madje dhe propagandistët fillojnë të tingëllojnë mekanikë.

Asgjë nuk ka ndryshuar formalisht por gjithçka ka ndryshuar psikologjikisht.

Regjimi, i cili ende nuk e ka humbur ende pushtetin, nga ana tjetër ka humbur të ardhmen.

Kjo është arsyeja pse regjimet duken të pathyeshme deri pak para se të bien. Regjime si ky i Ramës nuk rrëzohen pse dobësohen fizikisht por sepse humbasin monopolin mbi pritshmëritë e shoqërisë. Mes njerëzve nis të lindë një koordinim i ri shoqëror. Nëse qytetarët krijojnë forma të reja organizimi, narrativa të reja dhe institucione alternative të besimit, sistemi fillon të humbasë monopolin e koordinimit. Kjo është arsyeja pse 29 protestat e Revolucionit të Flamingove nuk duhen matur vetëm me numrin e pjesëmarrësve por me aftësinë për të krijuar rrjete të reja bashkëpunimi.

Pikërisht këtu protesta merr kuptimin e saj të vërtetë. Ajo nuk është e rëndësishme vetëm sepse mbledh çdo ditë shumë njerëz në shesh por sepse krijon një koordinim të ri shoqëror. Pak nga pak, njerëzit po fillojnë të besojnë se nuk janë vetëm, qytetarët zbulojnë se shumë të tjerë mendojnë si ata dhe gjithnjë e më shumë rrjete besimi nuk varen më nga pushteti.

Regjimi i Ramës, si çdo regjim përpiqet ta pengojë këtë, jo sepse ka frikë nga turma, por sepse ka frikë nga koordinimi. Një qytetar i pakënaqur nuk është problem për pushtetin, por dhjetë mijë qytetarë që fillojnë të koordinojnë pritshmëritë e tyre janë fillimi i një rendi të ri politik.

Prandaj pyetja thelbësore nuk është nëse sistemi është ende i fortë por nëse ai është ende prodhuesi i vetëm i të ardhmes.

Një sistem që nuk ofron më shpresë, por vetëm administron frikën, një sistem që nuk prodhon më vizion, por vetëm menaxhon krizën, dhe një sistem që nuk bind më se nesër do të jetë më mirë, por vetëm se ndryshimi është më i rrezikshëm se vazhdimësia, ka hyrë në fazën e konsumimit të vet.

Nga jashtë mund të duket i pathyeshëm por nga brenda ka filluar të jetojë me kapitalin e së kaluarës. Dhe kur një regjim jeton me të kaluarën, ndërsa shoqëria fillon të kërkojë një të ardhme tjetër, rënia nuk është më çështje fuqisë por çështje kohe.