Anija me emigrantë sjell përplasje diplomatike

FILE PHOTO: The MV Aquarius rescue ship is seen as migrants on are rescued by the SOS Mediterranee organisation during a search and rescue (SAR) operation in the Mediterranean Sea, off the Libyan Coast, September 14, 2017. REUTERS/Tony Gentile/File Photo - RC17CD57F880

Rasti i anijes me emigrantë, “Aquarius”, është kthyer në një incident diplomatik jo vetëm mes Italisë dhe Spanjës, por në nivel europian. Duke reaguar lidhur me këtë çështje, presidenti francez Emmanuel Macron e ka cilësuar të ulët sjelljen e qeverisë italiane, që refuzoi të pranonte ankorimin e anijes në portet e saj.

Shefi i pallatit Elize ka akuzuar lidershipin italian se po bën politikë me emigrantët, ndërsa ka kujtuar se në të tilla raste, vendi me bregdetin më të afërt ka përgjegjësinë të përgjigjet. “Ka një shkallë të lartë cinizmi dhe papërgjegjshmërie në sjelljen e qeverisë italiane”, ka deklaruar Macron përmes zëdhënësit të tij.

Nga ana e saj, Roma zyrtare i ka kundërshtuar kritikat e Parisit. Zyra e kryeministrit Giuseppe Conte ka deklaruar se, Italia nuk pranon leksione hipokrite nga ato vende që në lidhje me emigracionin kanë zgjedhur të kthejnë kokën nga ana tjetër. Sipas zotit Conte, deklaratat e palës franceze në lidhje me “Aquarius” tregojnë se në Paris nuk e kanë idenë e realitetit. Ndërkohë, komisioneri europian për Emigracionin, Dimitris Avramopoulos ka deklaruar se rasti i anijes “Aquarius” nuk është përgjegjësi vetëm e Italisë, Spanjës, apo Maltës.

“Është një përgjegjësi europiane dhe kërkon një përgjigje europiane”, ka thënë Avramopoulos. Anija “Aquarius”, me rreth 630 emigrantë afrikanë në bord, u refuzua nga Italia dhe u drejtua për në Spanjë, pasi qeveria vendase dha dritën jeshile për të ankoruar. Por për të arritur në portin e Valencias duhen ende disa ditë. /abcnews.al