Apeli vërteton pafajësinë e Shefqet Krasniqit

Gjykata e Apelit e ka vërtetuar pafajësinë e ish-imamit të Xhamisë së Madhe në Prishtinë, Shefqet Krasniqit, i cili ishte liruar nga akuzat në bazë të një aktvendimi të Gjykatës Themelore të Prishtinës në muajin mars të këtij viti.

Lajmin e ka konfirmuar për Koha.net Arbër Jashari, zëdhënës i Gjykatës, i cili ka shtuar se palët do ta marrin vendimin së shpejti, përmes gjykatës së shkallës së parë.

Me anë të këtij aktgjykimi, Shefqet Krasniqi është liruar nga akuza për shkak të veprave penale “Shtytja për kryerjen e veprave terroriste”, nga neni 141 Kodit Penal të Republikës së Kosovës, “Nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor fetar apo etnik” nga neni 147 i këtij kodi, si dhe veprës penale “Shmangia nga tatimi” sipas nenit 313.

Gjykata e Apelit gjen se aktgjykimi i atakuar nuk përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, gjendja faktike është vërtetuar drejtë dhe në mënyrë të plotë dhe se nuk ka as shkelje te ligjit penal.

Organi i akuzës iu drejtua shkallës së dytë me ankesë kundër vendimit të Gjykatës Themelore, e cila në mars të këtij viti e ka liruar Krasniqin nga të gjitha akuzat.

Krasniqi akuzohej për veprat penale “shtytje në kryerjen e veprave terroriste”, “nxitje të urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtarë, racor, fetar apo etnik” dhe veprën “shmangie nga tatimi”.