Arabia Saudite dhe Kina nënshkruajnë marrëveshje gjithëpërfshirëse partneriteti

Mbreti saudit Salman bin Abdulaziz dhe presidenti kinez Xi Jinping nënshkruan sot një marrëveshje gjithëpërfshirëse të partneritetit strategjik midis dy vendeve, transmeton Anadolu Agency (AA).

Agjencia Saudite e Lajmeve raportoi se Mbreti Salman priti presidentin kinez në Pallatin Al-Yamamah në Riad.

Takimi dëshmoi “një rishikim të miqësisë historike midis dy vendeve dhe mënyrave për ta përmirësuar atë për t’i shërbyer interesave të dy vendeve dhe popujve në fusha të ndryshme”.

Përpara samitit mes Riadit dhe Pekinit, Xi u prit edhe nga Princi i Kurorës Mohammed bin Salman.

Të dy palët diskutuan “mundësitë për të investuar burimet e disponueshme në të dy vendet, zhvillimet rajonale dhe ndërkombëtare, çështjet me interes të përbashkët dhe përpjekjet e bëra në lidhje me to”.

Princi saudit i kurorës dhe presidenti kinez ishin të pranishëm në shkëmbimin e një sërë marrëveshjesh dypalëshe, të cilat përfshijnë “planin e harmonizimit midis Vizionit të Mbretërisë 2030 dhe Iniciativës Kineze ‘Brezi dhe Rruga’”.

Gjatë qëndrimit të tij në Arabinë Saudite, presidenti kinez do të marrë pjesë në samitin e parë Kinezo-Arab dhe në samitin Kinë-Gjiri Persik në Riad.

Vizita e presidentit kinez vjen tre muaj pasi presidenti amerikan Joe Biden vizitoi Riadin në mes të një krize energjetike të shkaktuar nga lufta ruse në Ukrainë.

Vizita e fundit e Xi në Arabinë Saudite ishte në vitin 2016.