Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Arabia Saudite dhe SHBA kryejnë sulme ndaj grupeve të mbështetura nga Irani...

Arabia Saudite dhe SHBA kryejnë sulme ndaj grupeve të mbështetura nga Irani në Irak

Arabia Saudite dhe Shtetet e Bashkuara kanë kryer sulme ndaj grupeve të armatosura të mbështetura nga Irani në Irak, në një operacion që Riadi thotë se është zhvilluar në koordinim me ushtrinë amerikane.

Forcat e Mobilizimit Popullor të Irakut (PMF), një grup i armatosur, thanë se tetë pjesëtarë të tyre u vranë dhe katër të tjerë u plagosën nga sulmet e përbashkëta saudite-amerikane ndaj selive të tyre në disa zona të Irakut.

Ministria saudite e Mbrojtjes deklaroi se sulmet e kryera herët të mërkurën ishin një përgjigje ndaj sulmeve të fundit me dronë. Sipas saj, mbrojtja ajrore saudite kishte rrëzuar disa dronë që tentuan të godisnin objekte të naftës në Provincën Lindore dhe në rajonin e Riadit. Arabia Saudite pretendon se dronët ishin nisur nga territori irakian nga milici të lidhura me Iranin.

“Mbretëria thekson se nuk kërkon përshkallëzim, por do t’i përgjigjet çdo agresioni ndaj saj”, thuhej në deklaratën e Ministrisë së Mbrojtjes.

Nga ana tjetër, PMF i cilësoi sulmet si një “përshkallëzim shumë të rrezikshëm” dhe si shkelje të sovranitetit të Irakut dhe të institucioneve zyrtare të sigurisë.

Kryeministri irakian Ali al-Zaidi pritet të udhëtojë të enjten në Arabinë Saudite, disa ditë pasi urdhëroi institucionet irakiane të sigurisë të hetojnë sulmet me dronë ndaj Arabisë Saudite.

Ushtria irakiane deklaroi të hënën se vendi është i angazhuar të parandalojë përdorimin e territorit irakian si rrugë ose pikë nisjeje për sulme ndaj vendeve mike dhe vëllazërore.

Ndërkohë, “Rezistenca Islamike në Irak”, një koalicion i grupeve të armatosura të mbështetura nga Irani, mohoi çdo përfshirje në sulmet me dronë. Grupi i cilësoi pretendimet saudite si “fabrikime” dhe paralajmëroi se “çdo veprim i pamatur i Arabisë Saudite do të përballet me një përgjigje të ashpër”. /mesazhi