Arabia Saudite ka mohuar deklaratat e presidentit francez, Emmanuel Macron, për mbajtjen e kryeministrit të Libanit, Saad Hariri, kundër vullnetit të tij vitin e kaluar, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një intervistë të javës së kaluar me BFM TV, Macron përshëndeti diplomacinë franceze për ruajtjen e paqes në Liban.
“Nëse Franca nuk dëgjohej atëherë, ndoshta në këtë moment do të kishte një luftë në Liban, siç flasim. Është diplomacia franceze, është veprimi ynë. Ju kujtoj se një kryeministër u mbajt në Arabinë Saudite për disa javë”, ka theksuar Macron.
Por, një burim zyrtar në Ministrin e Jashtme Saudite përshkroi vërejtjet e presidentit Macron si “të pavërteta”.
Në një deklaratë të publikuar nga agjencia zyrtare e lajmeve SPA, burimi tha se mbretëria vazhdon të mbështesë sigurinë dhe stabilitetin në Liban dhe “mbështet kryeministrin Saad Hariri me çdo kusht”.
Burimi akuzoi Iranin dhe aleatët e tij për zvarritjen e Libanit dhe rajonit në paqëndrueshmëri, duke përmendur përfshirjen e supozuar të grupit Shia Hezbollah në vrasjen e ish-kryeministrit Rafiq Hariri dhe në vrasjen e shtetasve francezë në Liban.
“Mbretëria shpreson të punojë me presidentin francez Macron për t’u përballur me forcat e kaosit dhe shkatërrimit në rajon, të kryesuar nga Irani dhe autoritetet e tij”, tha burimi.
Më 4 nëntor, Hariri njoftoi papritmas dorëheqjen e tij në një fjalim televiziv nga Arabia Saudite. Një javë më vonë, Macron vizitoi Arabinë Saudite, pas së cilës Hariri u largua nga Rijadi në Paris.