Arabia Saudite nisi një sulm “të kufizuar” kundër dy anijeve në portin Mukalla të Jemenit

Koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite në Jemen sot nisi një sulm ajror “të kufizuar” që synonte dy anije në portin e Mukalla-s në Jemen, transmeton Anadolu.

Në komentet e raportuara nga agjencia saudite e medias, zëdhënësi i Forcave të Koalicionit, gjeneralmajor Turki al-Maliki tha se dy anije që mbërritën nga porti Fujairah i Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) hynë në portin e Mukallës më 27-28 dhjetor pa siguruar autorizim zyrtar nga Komanda e Forcave të Përbashkëta të koalicionit.

Ai theksoi se një sasi e madhe armësh dhe mjetesh luftarake u shkarkuan për të mbështetur forcat e Këshillit Kalimtar Jugor (STC) në provincat lindore të Jemenit, Hadramout dhe Mahra, “me qëllim nxitjen e konfliktit”.

“Duke pasur parasysh rrezikun dhe përshkallëzimin e paraqitur nga këto armë, të cilat kërcënojnë sigurinë dhe stabilitetin, Forcat Ajrore të Koalicionit kryen një operacion të kufizuar ushtarak sot në mëngjes duke synuar armët dhe mjetet luftarake të shkarkuara nga dy anijet në portin e Mukallës, pasi dokumentuan shkeljet”, tha Al-Maliki.

Sipas tij, operacioni u krye në përputhje me ligjin ndërkombëtar humanitar dhe rregullat e tij zakonore, duke siguruar se “nuk ka pasur dëme anësore”.

Al-Maliki riafirmoi angazhimin e koalicionit për të ulur tensionet në provincat lindore të Hadramaut dhe Al-Mahras dhe për të parandaluar çdo dërgesë ushtarake për çdo fraksion pa koordinim me qeverinë legjitime të Jemenit dhe koalicionin.

Nuk pati asnjë koment të menjëhershëm nga EBA-ja mbi operacionin dhe deklaratën. Tensionet janë përshkallëzuar në Jemen pasi Këshilli Kalimtar Jugor (STC) mori kontrollin e Hadramautit dhe Al-Mahras në fillim të këtij muaji pas përleshjeve me forcat qeveritare.

STC pretendon vazhdimisht se qeveritë e njëpasnjëshme kanë margjinalizuar politikisht dhe ekonomikisht rajonet jugore dhe bën thirrje për ndarjen e tyre nga veriu, pretendime të hedhura poshtë nga autoritetet jemenase, pasi ato këmbëngulin në ruajtjen e unitetit territorial të vendit.