Arat kanë mbetur pa u mbjellë në Ukrainë

Kriza ushqimore në rritje është përkeqësuar nga pamundësia e Ukrainës për të transportuar miliona tonelata drithëra dhe produkte të tjera bujqësore, pasi vendi po vazhdon të sulmohet nga Rusia.

Vendi është një nga eksportuesit më të mëdhenj në botë të grurit, misrit dhe vajit të lulediellit, por lufta dhe bllokada ruse e porteve e kanë ndalur pjesën më të madhe të këtij fluksi, duke rrezikuar furnizimet botërore të ushqimit. Shumë nga portet gjithashtu janë minuar.

Shumë nga fushat e rikthyera rreth qytetit të dytë më të madh të Ukrainës, Harkiv, në pjesën verilindore të vendit, kanë mbetur djerrë. Forcat ruse dhe ukrainase ende po luftojnë në fshatrat në veri të qytetit dhe ende nuk ka filluar mbjellja në pjesën më të madhe të tokës bujqësore.

Fushat e mbushura me predha artilerie të pashpërthyera ose shumë afër vijës së frontit janë kthyer në vende të rrezikshme për të shkelur me pajisjet bujqësore. Magazinat, ndërkaq, janë shkatërruar pothuajse krejtësisht. /koha