Vrau prindërit dhe motrën e tij dhe më pas kreu një masakër në qendër të Krakovës
Media polake ka zbuluar identitetin e terroristit i cili të shtunën, më 7 nëntor, së pari vrau të dy prindërit dhe një motër, dhe më pas vrau gjashtë persona dhe plagosi 15 të tjerë, përfshirë dy oficerë policie, në një masakër në qendër të Krakovës.
Tre trupa të tjerë të vdekur u gjetën në shtëpinë e burrit që vrau gjashtë persona në Krakovë, konfirmoi kryeministri polak Donald Tusk.
Tusk konfirmoi zbulimin në një takim mbrëmjeje me ministrat dhe përfaqësuesit e shërbimeve të sigurisë në Krakovë.
Kryeministri vlerësoi oficerët e policisë që ndërhynë, por edhe qytetarët që ndihmuan të plagosurit. Ai falënderoi veçanërisht dëshmitarët që i erdhën në ndihmë policit të plagosur.
Kujtojmë se sulmuesi hyri me makinë në sheshin kryesor të qytetit në Krakov dhe filloi të qëllonte kalimtarët e rastësishëm.
Gjashtë persona, katër gra dhe dy burra, u vranë në sulm. Të paktën 15 persona u plagosën.
Policia plagosi dhe arrestoi sulmuesin pas një shkëmbimi zjarri. Dy policë u plagosën gjithashtu dhe iu nënshtruan operacioneve.
Ministri i Brendshëm polak, Marcin Kierwiński, deklaroi më parë se kishte indikacione se sulmuesi ishte i magjepsur nga ideologjitë e ekstremit të djathtë dhe se ai mbështeste pikëpamje radikale ultra-nacionaliste.
Hetuesit ende po përcaktojnë nëse ky ishte motivi i sulmit.
Presidenti polak Karol Nawrocki ka filluar procedurën për shpalljen e zisë kombëtare, dhe Tusk njoftoi se ajo do të zgjasë më 9 dhe 10 nëntor.







