Sondazhet e nxjerrin humbës, kundër tij edhe Kisha Katolike
Javier Milei e ndërtoi ngjitjen e tij politike mbi premtimin se do ta çlironte Argjentinën nga kriza ekonomike përmes një terapie radikale: shkurtime të shpenzimeve publike, tkurrje të shtetit social dhe një hapje të gjerë ndaj tregut.
Por pas gati tre vitesh në pushtet, gjithnjë e më shumë tregues po nxjerrin në pah një kosto të rëndë sociale. Varfëria është rikthyer në rritje, papunësia po zgjerohet, industria po humbet vende pune dhe të ardhurat e familjeve nuk po ecin me ritmin e kostos së jetesës.
Të dhënat më të fundit të INDEC tregojnë se varfëria arriti në 32.3 për qind në gjysmën e parë të vitit 2026, nga 28.2 për qind në gjashtëmujorin e dytë të 2025-s.
Varfëria ekstreme u rrit nga 6.3 në 7.5 për qind. Sipas Universitetit Katolik të Argjentinës, niveli mund të arrijë në 35 për qind deri në fund të vitit. Pothuajse 9.7 milionë njerëz në zonat urbane jetojnë tashmë nën kufirin e varfërisë.
Problemi nuk është vetëm numri i njerëzve të varfër, por fakti se të ardhurat nuk po arrijnë të ndjekin çmimet. Në gjysmën e parë të vitit, të ardhurat mesatare për frymë u rritën me 11.5 për qind, ndërsa kostoja e shportës bazë u rrit me rreth 20 për qind.
Në praktikë, kjo do të thotë se edhe familjet që kanë të ardhura po humbasin fuqi blerëse. Për shumë argjentinas, pasojat janë shfaqur në rritjen e borxheve, rikthimin e klubeve të shkëmbimit dhe zgjerimin e kuzhinave që shpërndajnë ushqime falas.
Edhe tregu i punës po jep sinjale negative. Papunësia arriti në 7.9 për qind në tremujorin e dytë të 2026-s, ndërsa punësimi në sektorin privat ka rënë për 13 muaj radhazi.
Në krahasim me nëntorin e vitit 2023, janë humbur rreth 246 mijë vende pune private të regjistruara. Industria është ndër sektorët më të goditur. Afro 90 mijë vende pune industriale janë zhdukur dhe prodhimi ka pësuar rënie të ndjeshme.
Kjo ka ushqyer pakënaqësinë ndaj qeverisë. Një sondazh i AtlasIntel dhe Bloomberg i zhvilluar në fund të gushtit dhe fillim të shtatorit tregoi se 58 për qind e argjentinasve nuk e miratonin Milein, kundrejt 38.1 për qind që e miratonin.
Te shtresat me të ardhura të ulëta, mosmiratimi ishte edhe më i lartë, duke iu afruar 70 për qind. Përplasjet nuk janë kufizuar te ekonomia. Edhe Kisha Katolike ka kritikuar disa prej politikave të qeverisë, veçanërisht ato që lidhen me pronësinë e tokës, të drejtat e punëtorëve dhe mbrojtjen e burimeve natyrore.
Peshkopët kanë paralajmëruar se ndryshimet mbi pronësinë e tokës mund të prekin sovranitetin mbi territorin dhe burimet e vendit, ndërsa kanë kundërshtuar edhe reforma që sipas tyre, dobësojnë mbrojtjen e të drejtave themelore.
Presioni po shtohet edhe mbi vetë modelin ekonomik. Edhe analizat e mediave liberale që fillimisht e mbështetën projektin e Mileit pranojnë se rritja është e ngadaltë dhe e pabarabartë, pagat reale mbeten nën nivelet e fillimit të mandatit dhe vendet formale të punës po pakësohen.
Problemi kryesor është se disiplinimi fiskal nuk po përkthehet automatikisht në mirëqenie për pjesën më të madhe të shoqërisë. Ndërkohë, qeveria po kërkon ta kompensojë këtë situatë përmes investimeve të huaja në naftë, gaz dhe minerale.
Por ky model rrezikon të krijojë një ekonomi me dy shpejtësi: sektorë të lidhur me energjinë dhe burimet natyrore mund të përfitojnë nga investimet, ndërsa industria, ndërtimi dhe tregtia vazhdojnë të vuajnë nga dobësimi i kërkesës dhe punësimit. /tesheshi




