Armiqësitë shqiptaro-serbe

Nexhmedin Spahiu

Për ta shuar kryengritjen serbe, Sulltan Mahmuti i Dytë, që sundoi në periudhën 1808-1839, për shkaqe logjistike nuk mund të dërgonte kurdë e arabë për ta shuar kryengritjen, por i dërgoi ata që i kishte më afër vendngjarjes: shqiptarët, boshnjakët e bullgarët.

Nexhmedin SPAHIU, Mitrovicë

Konflikti mes shqiptarëve dhe serbëve mund të jetë shumë më i hershëm, por për politologët është me rëndësi vetëm periudha pas Revolucionit Francez (1789). Në kohën e zgjimit kombëtar serb ishin shqiptarët në shërbim të Perandorisë Osmane ata që i shtypnin kryengritjet serbe. Shumë nga administratorët osmanë në trojet serbe ishin shqiptarë. Rebelimi serb u nxit pikërisht nga egërsia e sundimit të shqiptarëve. Shih për këtë, kur udhëheqësi i Kryengritjes së Parë Serbe (1804-1813), Gjorgje Petroviq – Karagjorgje (1762-1817), u fut në territoret e banuara me shqiptarë. Fakti që katragjyshi i Karagjorgjit, Marashi, kishte qenë shqiptar, madje bajraktar i fisit katolik shqiptar Kelmendi dhe se babai i Karagjorgjit, Pjetri, kishte lindur në Guci, qytet ky edhe sot me shumicë shqiptare e atëherë tërësisht shqiptar, nuk ishte ndonjë pengesë që Karagjorgji të sillej në mënyrë gjenocidale ndaj shqiptarëve.

Çele Kulla në Nish (1809)

Për ta shuar kryengritjen serbe, Sulltan Mahmuti i Dytë, që sundoi në periudhën 1808-1839, për shkaqe logjistike nuk mund të dërgonte kurdë e arabë për ta shuar kryengritjen, por i dërgoi ata që i kishte më afër vendngjarjes: shqiptarët, boshnjakët e bullgarët. Shumë pashallarë shqiptarë, me ushtritë e tyre, morën pjesë në këto inkursione: Maliq Pashë Gjinolli nga Prishtina, Rushit Pasha nga Leskoci, Mustafa Pasha nga Prizreni, Mehmet Pasha nga Gjakova, Numan Pasha nga Peja, Mahmud Pashë Bushatliu nga Shkodra, Ali Pashë Tepelena nga Janina dhe djali i tij, Ibrahim Pasha, etj. Të gjithë këta pashallarë nuk po tregonin sukses, sepse në ushtritë e tyre i kishin edhe kushërinjtë e tyre të krishterë. Shumica e tyre tradhtonin dhe bëheshin me serbët. Kryengritja u shua tek pas ndërhyrjes së pashait bullgar të Vidimit, ushtria e të cilit përbëhej vetëm nga bullgarë myslimanë. Me t’u mundur forcat serbe, pashallarët shqiptarë u treguan të pamëshirshëm. 12 mijë kryengritës serbë u ngulën në hunj. Nga kafkat e kryengritësve serbë shqiptarët ndërtuan Çele-kullën në afërsi të Nishit. Më 1809 u murosën 952 kafka kryengritësish serbë, në mesin e të cilëve kishte edhe shumë shqiptarë të krishterë, që kishin kaluar në anën e serbëve. Por, serbët nuk ua lanë mangët hakmarrjen në Kryengritjen e Dytë Serbe (1814). Ata i spastruan etnikisht territoret nga Beogradi deri në Krushevc e Kralevë. Shqiptarët dhe serbët myslimanë u vranë, u dëbuan drejt territoreve të mbetura osmane ose u rikonvertuan në ortodoksë të krishterë.

Dëbimi masiv 1877-1878 nga Sanxhaku i Nishit

Më 1877-78 Serbia mori krahinën e Nishit. Rreth 200 mijë shqiptarë, serbë myslimanë e bullgarë myslimanë u vranë dhe u shtynë drejt territoreve të mbetura osmane. Mes këtyre të dëbuarve nga Nishi drejt Selanikut ishte edhe babai i Mustafa Kemal Ataturkut. Tri vite pas këtij dëbimi masiv, në Selanik lindi Mustafa Kemali (1881-1938). Edhe sot vazhdon diskutimi nëse përkatësia etnike e babait të kombit turk ishte shqiptare, serbe, bullgare, vllahe, hebraike apo turke.

Përgjakjet mes ushtrisë kufitare serbe dhe shqiptarëve janë të përshkruara në librin e Aleksa Vukosavljeviqit me titull “O Arnautima” të botuar më 1897. Vukosavljeviq, që kishte qenë komandant i Xhandarmërisë Kufitare Serbe në periudhën 1878-1897 shkruan se në zonat kufitare mes Perandorisë Osmane e Serbisë, që korrespondojnë me kufijtë e tanishëm Kosovë-Serbi, shqiptarët bënin kërdi mbi ushtarët kufitarë serbë vetëm e vetëm për t’ua marrë pushkën dhe çizmet, por ndodhte edhe anasjelltas.

Hakmarrja morbide për popin

Rasti më interesant që e përshkruan Vukosavljeviq është ai me popin serb. Në zonën kufitare xhandarmëria serbe gjen kufomën e një prifti, të cilit i mungonin çizmet, ora dhe koka. Me gjasë, kokën e viktimës do ta kenë ngrënë bishat e egra. Supozimi ishte se priftin serb do ta kenë vrarë shqiptarët për motive plaçkitjeje. Mblidhen turmat e serbëve në Kurshumli dhe e diskutojnë se si do të hakmerremi ndaj shqiptarëve. Njëri thotë që në hakmarrje për popin duhet t’i vrasim 4 shqiptarë, tjetri thotë 10, një tjetër 100, derisa ngrihet njëri dhe thotë “Nuk krahasohen 100 shqiptarë analfabetë me popin e shkolluar, andaj të shkojmë ne ta vrasim ndonjë hoxhë të tyre!”. Problemi u shtrua se xhamia e parë prej kufirit qenkësh 6 orë rrugë këmbë larg. Megjithëkëtë u lajmëruan shumë vullnetarë që do të shkonin ta vrisnin hoxhën e pafajshëm. U përzgjodh edhe gjakësori më i famshëm që kishte vrarë deri më atëherë shqiptarë që nuk mund t’u dihej numri. Një djalosh 17 vjeçar, që akoma nuk i kishte rënë brisk fytyrës, i kërcënoi të tubuarit se do ta vriste veten nëse nuk do të përzgjidhej për ekzekutor të hakmarrjes për popin serb. Turma vendosi që djaloshi ta shoqëronte gjakësorin e famshëm. U nisën së bashku, e kaluan kufirin dhe, për fatin e tyre, jo shumë larg kufirit hasën në një hoxhë që po kalëronte në një rrugëtim të vet. Gjakësori serb e mori në nishan, por hoxha i shkathët kërceu nga kali, e nxori revolen dhe plagosi atentatorin. Duke iu afruar të plagosurit për të parë se kush deshi ta vriste, hoxha nuk e përfilli djaloshin 17-vjeçar, po pikërisht nga ky e gjeti taksiratin. 17-vjeçari e mori pushkën e gjakësorit dhe e vrau hoxhën. I lidhi plagët gjakësorit dhe së bashku i morën çizmet, orën dhe ia prenë kokën kufomës së hoxhës. I hipën kalit të hoxhës, e kaluan kufirin dhe erdhën në Serbi. Rrugës u ngordhi kali i hoxhës nga pesha e rëndë e gjakësorit dhe vrasësit të ri. U mblodhën populli në Kurshumli për të festuar hakmarrjen e suksesshme. Iu treguan turmës ora, çizmet dhe koka e hoxhës. Shkuan te varri i popit e hapën atë dhe popit ia mbathen çizmet e hoxhës, në xhep ia futën orën e hoxhës dhe në fund ia vendosën kryet e hoxhës. Këtu përfundon tregimin bizar Aleksa Vukosavljeviqi.

Derisa po e lexoja këtë libër, në zyrën time erdhën disa gazetarë rusë bashkë me kolegë të tyre serbë nga Beogradi. Të habitur që po lexoja një libër të vjetër në qirilicë, më pyetën për përmbajtjen. Kur ua tregova tregimin e mësipërm, gazetari rus iu kthye gazetarëve serbë: “Ju serbët vetëm për nga ana e gjakut jeni vëllezër me ne, po për nga kultura jeni vëllezër me shqiptarët”.

Lufta e Parë Ballkanike

Përgjakja e madhe shqiptaro serbe ndodhi në Luftën e Parë Ballkanike. Masakra të papara deri më atëherë në Kumanovë, Shkup, Prizren, Dibër, Lumë…. Pena e zhdërvjelltë e Llav Trockit, pena gjeniale e Dimitrije Tucoviqit e shumë të tjerë, i përshkruajnë krimet monstruoze mbi shqiptarët. Minimumi 25.000 shqiptarë të vrarë.

Lufta e Parë Civile në Shqipëri (1914-1915)

Por, kjo nuk do të mjaftonte. Me ardhjen në Shqipëri të Princ Wied-it (1876-1945), Serbia kishte frikë se Shqipëria mëkëmbej dhe shqiptarët qytetëroheshin. Shërbimi inteligjent i mbretit serb e dërgoi xhandarin Veljko nga Shtimja e Kosovës, i cili e fliste shqipen, që ta vriste Princin, në fakt tashmë mbretin Wied. Atentati dështoi, por përpjekja e tjetër rezultoi me sukses. Shërbimi inteligjent i mbretit serb, i stacionuar në Ohër, e hartoi projektin për luftën civile në Shqipëri. Plani ishte i përkryer. Shqipëria e mesme ishte trualli i përshtatshëm për këtë. Popullata, pothuaj 100 për qind myslimane, me sloganin ideal “Duam mbret mysliman” dhe liderin e përzgjedhur nga shërbimi inteligjent serb, Haxhi Qamili (1876-1915), që ishte person inteligjent, karizmatik dhe superambicioz, bëri që asnjë nga qeveritë europiane të kohës të mos e kuptojë se kush qëndronte prapa kryengritjes së Haxhi Qamilit. Qeveria e Beogradit e furnizonte me para, ushqime dhe armë. Familjet më patriotike shqiptare ishin nën shënjestrën e Beogradit përmes kryengritësve të Haxhi Qamilit. U dogjën me porosi biblioteka e Naim Frashërit në pronësi të bijës së tij dhe sarajet e bejlerëve të Cakranit (familje kjo e konsideruar nga serbet si e pakorruptueshme). Vetëm qeveria bullgare shprehte dyshimin se pas Haxhi Qamilit mund të mos ishte Stambolli, por Beogradi. Të gjitha qeveritë e tjera e pandehnin se pas Haxhi Qamilit qëndronte Stambolli. Madje, këtë e pandehnin edhe patriotët shqiptarë, që lëvizjen e Haxhi Qamilit e konsideronin si lëvizje antikombëtare. Kishte një gjë që i trulloste të gjithë: kryengritjes së Haxhi Qamilit, që kishte narrativë fanatike fetare myslimane, iu kishin bashkangjitur ortodoksët e Fierit! Ishte e natyrshme, ngase Beogradi e kishte shfrytëzuar linjën ortodokse për ta kryer misionin e vet antishqiptar. Suksesi spektakolar i Haxhi Qamilit bëri që ambiciet e tij të shiheshin tashmë me dyshime nga Beogradi. Dyshimi i parë u lindi kur Haxhi Qamili u kërkoi serbëve që të ndërmjetësonin në një takim të tij me grekët. Megjithëkëtë, serbët ia mundësuan këtë. Por, sapo Haxhi Qamili u vu në kontakt me anglezët, Beogradi e nisi ushtrinë serbe drejt Tiranës. Ky veprim ishte i pafalshëm për Beogradin. Ushtria serbe ndërhyri në Shqipëri dhe i mundi kryengritësit e Haxhi Qamilit, të cilët deri dje i kishte furnizuar me para, armë e ushqime. Pastaj e riktheu në pushtet Esat Pashë Toptanin (1864-1920) dhe kësisoj Serbia i arriti të gjitha synimet që i kishte në Shqipëri.

Lufta e Parë Botërore

Pas kësaj vjen Lufta e Parë Botërore dhe ushtria serbe ikën me bisht nëpër këmbë nëpër territoret shqiptare, e ndjekur nga ushtria austro-hungareze dhe ajo bullgare. Sado që Esad Pashë Toptani e ofron gjithë ndihmën e nevojshme, patriotët si Elez Isuf Ndreu (1861-1924) e Islam Spahiu (1838-1928) i Kolesjanit bëjnë kërdinë mbi ushtrinë serbe në hakmarrje për masakrat e tri viteve më parë.

Me përfundimin e Luftës së Parë Botërore (1918), në Kosovë, Sanxhak, Maqedoni Perëndimore nisë terrori i sërishëm serb. Në inkursionin e ushtrisë serbe në Drenicë në oborrin e shtëpisë u vranë edhe katragjyshi im dhe babai i tij. Terrori, shpërnguljet, shpronësimet dhe kolonizimi janë karakteristikë e periudhës 1919-1941. Gjenialiteti politik e diplomatik i Nexhip Dragës (1869-1921), Ferat Dragës (1880-1944) e Aqif Efendi Blytës (1887-1945), që e organizuan “Xhemijetin”, nuk funksionoi para brutalitetit të pushtetit serb, që e dënoi me nga 100 vite burg Feratin dhe Aqifin.

Lufta e Dytë Civile në Shqipëri

Edhe luftën e dytë civile në Shqipëri e shkaktoi Serbia. Më 1941, Gjermania e Hitlerit e dërmoi Mbretërinë e Jugosllavisë. Një pjesë e Sllovenisë së sotme iu dha Italisë, një pjesë Hungarisë dhe një pjesë iu aneksua Gjermanisë. Nga Kroacia e Bosnja e sotme u krijua Shteti i Pavarur Kroat. Mali i Zi u rikrijua si shtet, por pa Ulqinin, Plavën, Gucinë e Rozhajën, të cilat iu aneksuan Shqipërisë. Pjesën më të madhe të Maqedonisë së sotme e aneksoi Bullgaria, përveç Tetovës, Gostivarit, Kërçovës, Dibrës, Strugës e Prespës, të cilat iu aneksuan Shqipërisësë cilës iu aneksua edhe pjesa më e madhe e Kosovës pa Mitrovicën, Vushtrrinë e Podujevën, të cilat u lanë si krahinë autonome në Serbinë e cunguar të pushtuar nga gjermanët.

Në Serbinë e asaj kohe kishte tri forca politike:

Kuislingët, pra, ata që u pajtuan me pushtimin gjerman e që udhëhiqeshin nga kryeministri Millan Nediq (1877-1946).
Rojalistët (siç quheshin në popull) çetnikë në krye me kolonelin e, më vonë, gjeneralin Dragoljub Mihajlloviq (1893-1946) .
Komunistët në krye me Josip Broz Titon (1892-1980).
Nga këto tri forca agjendën më serbomadhe e përfaqësonin komunistët. Me t’u bashkuar Kosova e viset tjera me Shqipëri, komunistët serbë nxituan ta formojnë Partinë Komuniste të Shqipërisë që ose ta marrin të gjithë Shqipërinë ose, të paktën, ta kthejnë Kosovën. Fillimisht u orientuan te minoriteti serb e bullgar në Shqipëri, si dhe te popullata ortodokse përgjithësisht. Në Shkodër u krijua organizata e parë revolucionare komuniste, e cila përfshinte anëtarë të minoritetit serb si, vëllezërit Vaso dhe Branko Kadija, Vojo Kushi, Jordan Misja, Ivo Jovanov, Vojin Dragoviq, Petar Bulatoviq dhe Vasil Shanto (iq). Grupi i Shkodrës drejtohej nga Vasil Shanto(iq) dhe Qemal Stafa. Organizata tjetër, e themeluar në Korçë, u bashkua në një më 8 nëntor 1941, në Tiranë, në shtëpinë e Bojko Lazarovit, duke formuar kështu Partinë Komuniste të Shqipërisë. Partia, faktikisht, drejtohej nga Milladin Popoviqi (1910-1945) e Dushan Mugosha (1914-1973). Formalisht në krye të saj u vu një aventurier vetëm sepse kishte një emër e mbiemër mysliman, Enver Hoxha (1908-1985). Të tjerët i gjetën në bazë të lidhjeve të vjetra agjenturore të shtetit serb. Babai i Mehmet Shehut (1913-1981), shehu i Çorrushit, kishte qenë eksponent i kryengritjes së Haxhi Qamilit dhe agjent i Serbisë. Bashkë me Dushan Mugoshën, ai e ngriti Brigadën e Parë Partizane në rrethinat e Korçës. Mehmeti ishte komandant, ndërsa Dushani komisar. Për dallim nga Lufta e Parë Civile në Shqipëri (1914-1915), që u zhvillua në Shqipëri të mesme dhe fitimtari e mori pothuaj gjithë Shqipërinë, Lufta e Dytë Civile në Shqipëri (1943-1944) u zhvillua në jug të Shqipërisë. Kjo ka logjikë. Më 1914 Serbia kishte nevojë ta fshihte dorën e saj se po vepronte kundër vendimit të Fuqive të Mëdha dhe për këtë duhej t’ia linte fajin Perandorisë Osmane. E për këtë truall i përshtatshëm ishte përbërja myslimane e Shqipërisë së mesme. Më 1943, Serbia ishte në anën e Fuqive që pritej ta fitonin Luftën e Dytë Botërore dhe nuk kishte pse ta fshehte dorën. Trualli i përshtatshëm ishte jugu i Shqipërisë. Përbërja ortodokse me diversitet minoritetesh bullgare, greke, vllahe ishte lidhje e mirë me serbët ortodoksë. Mjaftonte t’i hidhej pak kripë emrash myslimanë e katolikë, që kishin qene familje të lidhura me agjenturën serbe që nga koha osmane (familja Shehu nga Mallakastra, familja Lleshi nga Dibra, familja Kapo nga Vlora, familja e Gjin Markut nga Mirdita) dhe çorba u bë. Në fund, si biber, vendoset në krye aventurieri Enver Hoxha dhe misioni serb në Shqipëri u krye me sukses. Kësaj radhe Beogradit nuk i doli nga dora krijesa e tyre politike (PKSH). Më 1945 e rimorën Kosovën dhe viset e tjera dhe kur më 1948 Stalini u prish me Titon, këtë e bëri edhe Enver Hoxha, por e ruajti raportin me Aleksandar Rankoviqin dhe komunistët serbë.

Riokupimi i Kosovës (1945)

Riokupimi serb Kosovës nuk ishte i lehtë. Ky akt solli tragjedi të shumta në të dyja anët për shkak të rezistencës shqiptare. Megjithëkëtë shqiptarët e pësuan në fund. Arsyeja përse Kosova i shpëtoi gjenocidit dhe nuk pësoi si Vojvodina, Çamëria e shumë rajone tjera në Europë, ishte thjesht sakrifica e nacionalistëve shqiptarë të Kosovës.

Kur presidenti Hashim Thaçi e pryeparlamantari Veseli patën organizuar një akademi përkujtimore për Shaban Polluzhën, një ambasador i një vendi të fuqishëm më pat telefonuar që të më pyesë “Përse Presidenti e Kryeparlamentari duhet të komemorojnë një personalitet që e ka humbur luftën dhe nuk ka pasur shans teorike ta fitojë atë?” Atij iu përgjigja se edhe Shaban Polluzha dhe nacionalistët e tjerë e kanë ditur se nuk kanë shans ta fitojnë luftën, por ata e kanë sakrifikuar qëllimisht vetën e tyre për ta shpëtuar popullin e Kosovës nga gjenocidi. Sikur të mos rezistonin Shaban Polluzha, Mehmet Gradica, Mulla Ilaz Spahiu (Hoxha i Brojës), Mulla Idriz Gjilani, Ahmet Selaci, Bislim Bajgora, Bik Dreshaj etj., me shqiptarët e Kosovës, nën akuzën se ishin bashkëpunëtorë të gjermanëve, do të veprohej si me çamët dhe me gjermanët e Vojvodinës. Por, për ta zhvendosur popullatën, së pari duhej ta ruanin kurrizin nga kryengritësit. Derisa u shuan kryengritjet në Kosovë, erdhi viti 1948 dhe Serbia (Jugosllavia) u fut në telashe të tjera, andaj nuk ia kishte ngenë të merrej me gjenocid ndaj shqiptarëve. Thjesht, nuk ishte më kohë lufte. Pra, sakrifica e nacionalistëve kosovarë në këtë periudhë mund të krahasohet me sakrificën e 300 spartanëve në Thermopile.

Lufta Finale për Kosovën (1998-1999)

Lufta finale për Kosovën u zhvillua më 1999. Këtu Serbia luajti me letrat e fundit – o do ta fitonte Kosovën përgjithmonë (pa shqiptarë) o do ta humbiste atë. Dhe, e humbi. Por, po kalon një çerek shekulli dhe nuk po mund të pajtohet me këtë fakt. Megjithatë, herët a vonë do të pajtohet. /revistashenja