Asnjë veprim për themelimin e policisë së kryeqytetit

Rritja e buxhetit është hapi i parë pas statutit kryeqytet me ligj. Megjithatë, Ligji për Prishtinën që është miratuar tetë muaj më parë nga Kuvendi i Kosovës, ende nuk është zbatuar plotësisht.

Prishtina vazhdon të kërkojë ndihmën e policisë, por ende nuk e ka policinë e qytetit.

“Aktualisht, ne jemi në konsultim me Policinë, rrjedhimisht Ministrinë e Punëve të Brendshme, ashtu që ta krijojmë legjislacionin sekondar që janë udhëzimet administrative, përmes së cilave do të funksionojë dhe rregullohet funksionimi i Policisë së Kryeqytetit. Ne jemi duke tentuar që t’i gjejmë format më të mira të organizimit, ashtu që të mos ketë kompetenca të përziera mes pjesës tjetër të policisë dhe Policisë të Kryeqytetit”.

Kur të krijohet Policia Komunale, Tahiri thotë se ajo do t’u ndihmojë t’i menaxhojnë parkingjet ilegale dhe sektorë të tjerë, një pjesë e të cilëve mbulohet nga inspeksioni, ndërsa pjesa tjetër nga Policia e Kosovës.

“Tash me Policinë e Kryeqytetit do të arrijmë që pjesën më të madhe, për të mos thënë të gjitha punët, të cilat i kryen Inspeksioni dhe të tjerat që i ka pasur Policia e Kosovës brenda kryeqytetit, të arrijmë t’i bëjmë me këtë njësit. Ata do të arrinin të kryenin shumë punë, të cilat nuk kanë arritur t’i kryejnë inspektorët apo që nuk kanë pasur kompetencë t’i kryejnë inspektorët. Kështu që, kombinimi mes Policisë Komunale dhe Inspeksionit mendoj se do të sjellë rezultate shumë të mira edhe në trafik, por edhe në sektorë tjerë që ata mbulojnë”.

Në Polici nuk kanë komentuar në lidhje me këtë. Njëjtë kanë vepruar edhe në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Sipas ligjit, Policia themelon Drejtorinë e Policisë për Kryeqytetin, organizimi dhe funksionimi i së cilës rregullohet me Ligjin për Policinë, që do të ketë kompetencë vetëm në territorin e kryeqytetit.

Ndërsa, kryetari i Prishtinës pas aprovimit nga Asambleja Komunale, sipas ligjit, i propozon Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, minimumi dy (2) kandidatë për drejtor të kësaj drejtorie.

Komuna ka ndarë 1 milion euro për pagat e policëve komunalë, të cilët pritet të kenë uniformë tjetër nga pjesa tjetër e Policisë.

Një drejtori të veçantë për kryeqytetin e ka edhe Shqipëria, e cila quhet “Policia e Bashkiake e Tiranës”. Aktualisht, pjesë e saj janë 373 punonjës.