Atalanta e fiton Ligën e Evropës, i shkakton humbjen e parë Leverkusenit

Atalanta është fituese e Ligës së Evropës, duke e arritur suksesin më të madh në histori të klubit.

Skuadra italiane nga Bergamo, e mposhti në finale kampionin e ri të Gjermanisë, Bayer Leverkusen, duke ia shkaktuar edhe humbjen e parë sezonale pas 51 ndeshjeve.

Me rezultat bindës 3:0 dhe me vetëm një golashënues, Ademola Lookman i cili i realizoi të tre golat e fitores për italianët, Atalanta e bëri të plotë senzacionin në një sezon të jashtëzakonshëm në garën evropiane, Europa League.

26-vjeçari nga Nigeria realizoi shpejt dy gola në minutat 12 e 26, për t’i dhënë komoditetin skuadrës së tij në një finale evropiane.

Gjermanët nuk arritën asnjëherë të rrezikonin seriozisht portën e Atalantës, që pas 75 minutave shënoi edhe golin e tretë me njeriun e ndeshjes, Lookman.

Granit Xhaka që ishte lider i Bayerit, nuk mundi të udhëheq drejt triumit evropian ekipin gjerman, që mund ta fitojë një tjetër trofe, atë të Kupës së Gjermanisë.

Xhaka luajti tërë ndeshjen ndërsa në ekipin fitues, kapiteni i Kombëtares shqiptare Berat Xhimshiti, që udhëhoqi sigurt mbrojtjen e italianëve, ishte i pakalueshëm.

Trofeu i Ligës së Evropës, është qershia mbi tortë e Atalantës për sezonin mbresëlënës dhe për të lënë prapa zhgënjimin e para një jave kur humbën në finale të Kupës së Italisë.