Enver Robelli, imamët bashkëkombës ju janë bërë njëfarë obsesioni. Çfarëdo që ndodh në botë, ju gjeni një mënyrë për ta lidhur me imamët e diasporës shqiptare.
Krahasimet që bëni janë krejtësisht banale. Është njësoj sikur të thoni: pse paska fituar një indian në Londër dhe jo një londinez në Indi?
Por harroni një detaj të vogël historik: për rreth dy shekuj, India ishte koloni e Britanisë, jo e kundërta. Dhe kjo nuk është ndonjë hollësi e parëndësishme, por pjesë thelbësore e historisë së pushtetit, migrimit dhe marrëdhënieve mes shoqërive.
Po ashtu, kanë kaluar më shumë se një shekull që kur fuqitë perëndimore kanë kolonizuar dhe dominuar vende të tëra në Afrikë, duke lënë pas pasoja politike, ekonomike dhe shoqërore që nuk mund të fshihen me një krahasim të thjeshtë.
Prandaj, në vend që çdo ngjarje ta ktheni në një rast për të sulmuar imamët e diasporës, ndoshta do të ishte më e dobishme ta shikonit realitetin në kontekstin e tij historik.
Demokracia amerikane, me të gjitha kontradiktat dhe përparësitë e saj, është një temë që meriton analizë serioze. Por ta përdorësh fitoren e një politikani mysliman në Amerikë për të ndërtuar një përrallë mbi inferioritetin e botës arabe dhe për të përfunduar sërish te imamët shqiptarë në Zvicër, është një kërcim logjik që nuk i bën nder as analizës dhe as gazetarisë.
Nuk po e mohoj dallimin mes demokracisë dhe diktaturës, as rëndësinë e demokracisë amerikane. Por ky dallim nuk duhet bërë duke harruar historinë koloniale, marrëdhëniet e pushtetit dhe kontekstet politike të sotme. Në fund të fundit, shumë prej regjimeve autokratike dhe tiranike arabe mbahen në këmbë edhe falë mbështetjes politike, ushtarake dhe ekonomike të vetë demokracive perëndimore.
Prandaj, një analizë serioze kërkon të shohë jo vetëm dallimet mes sistemeve, por edhe përgjegjësitë dhe interesat që i lidhin ato.
Hoxhë Halil Avdulli








