Australi, kapet i riu që vendoste gjilpëra në luleshtrydhe

Para panikut të ngritur në mesin e australianëve përgjegjës është një djalosh, i cili pranoi fajësinë duke theksuar se ka dashur të bëjë shaka, raporton Anadolu Agency (AA).

Zv/shefi i policisë në Uellsin e Ri Jugor (NSW), Stuart Smith, njoftoi se djaloshi ka pranuar se për shaka disa ditë më parë ka vendosur gjilpëra në luleshtrydhe.

“Qëllimi nuk është i rëndësishëm, ky veprim mund të ketë pasoja serioze. Kemi konstatuar se djaloshi disa herë ka bërë shaka dhe ndër ta është edhe vendosja e gjilpërave në luleshtrydhe”, ka thënë Smith.

Sipas ligjit në këtë shtet federal, dënimi për dëmtimin me vetëdije të gjërave ushqimore është deri në 10 vite burgim, ndërsa shpërblimi për lajmërim të autorëve të kësaj vepre penale shkon deri në 100 mijë dollarë australianë (rreth 62 mijë euro).

Kriza me gjilpërat në luleshtrydhe u paraqit pasi javën e kaluar një person u shtrua në spital për dhimbje në stomak të shkaktuar pas konsumimit të pemëve. Më pas u zbulua se në luleshtyrdhe ishte vendosur një gjilpërë, ndërsa kriza u përhap edhe në shtetet Victoria, Australia Perëndimore, Uellsi i Ri Jugor dhe Tasmania.

Sipas Ministrisë së Brendshme, rreth 100 persona kanë ngrënë luleshtyrdhe me gjilpëra brenda tyre.