Mrekullia që ka tërhequr vëmendjen e specialistëve në mbarë botën. Në Brisbane të Australisë, 34-vjeçarja Jenitar Na’amoana ka sjellë në jetë katër vajza identike, në një shtatzëni që mjekët e konsiderojnë si një rast me probabilitet vetëm 1 në 15 milionë.
“Këto foshnja janë vërtet të veçanta. Të katra ndanin të njëjtën placentë, por secila kishte qeskën e saj amniotike. Ato u zhvilluan nga një vezë e vetme e fekonduar, e cila më pas u nda në katër embrione. Është diçka e jashtëzakonshme. Vlerësojmë se një shtatzëni e tillë ndodh vetëm një herë në rreth 15 milionë raste dhe, sipas njohurive tona, nuk ka ndodhur më parë në Australi”, pohoi mjekja Alexa Bendall.
Katër foshnjat, Emily, Harriet, Alexa dhe Catherine, lindën me operacion cezarian në javën e 28-të e katër ditë të shtatzënisë. Për shkak se ndanin një placentë të vetme, shtatzënia konsiderohej me rrezik shumë të lartë si për nënën, ashtu edhe për foshnjat.
“Kjo ishte një shtatzëni me rrezik shumë të lartë. Kur disa foshnja ndajnë të njëjtën placentë, rreziku për komplikacione është i madh. Mund të ketë probleme me zhvillimin, me qarkullimin e gjakut mes foshnjave, madje edhe rrezik për jetën e tyre dhe të nënës. Prandaj fakti që kemi katër foshnja të shëndetshme, të lindura në javën e 28-të e katër ditë, është një rezultat i jashtëzakonshëm”, u shpreh, ndër të tjera, mjekja Alexa Bendall.
Për familjen Na’amoana, lajmi ishte krejtësisht i papritur. Çifti kishte tashmë katër fëmijë dhe nuk kishte planifikuar një shtatzëni tjetër. Në momentin kur mësuan se prisnin jo një, por katër foshnja, reagimi ishte tronditës.
“Ishte një surprizë e madhe. Jenitar kishte tashmë katër fëmijë në shtëpi, përfshirë edhe një foshnjë që ende e ushqente me gji. Kur zbuluan se prisnin katër foshnja në vend të një, mbetën të habitur”, tha mjekja.
Katër vajzat po marrin trajtim në Njësinë e Kujdesit Intensiv Neonatal të spitalit në Brisbane, ku mjekët presin që të vazhdojnë zhvillimin derisa të jenë gati për t’u kthyer në shtëpi.
Rasti i tyre po konsiderohet një nga më të rrallët në historinë moderne të obstetrikës dhe një sukses i rëndësishëm për ekipin mjekësor australian.








