Autoritetet e Venezuelës arrestojnë 7 gazetarë të huaj

Shtatë gazetarë janë arrestuar në Venezuelë pas demonstratave në kryeqytetin Caracas, njoftuan sot mediat lokale, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas agjencisë kombëtare të lajmeve EFE, një fotoreporter kolumbian i agjencisë, i cili shkoi për të mbuluar ngjarjet në të gjithë vendin, u zhduk mëngjesin e së mërkurër në Caracas.

Agjencia tha se ai ishte arrestuar nga autoritetet venezuelase së bashku me dy kolegët e tij, një spanjoll dhe një kolumbian.

Gonzalo Dominguez Loeda nga Spanja dhe kolumbiani Mauren Barriga Vargas u arrestuan gjithashtu në zyrën e EFE-së nga Shërbimi Informativ Bolivarian, SEBIN, ndërsa Leonardo Munoz u arrestua nga Drejtoria e Kundërzbulimit Ushtarak, theksuan raportimet e lajmeve.

Duke komentuar mbi këtë ngjarje, ministri i Jashtëm kolumbian Carlos Holmes Trujillo tha se vendi i tij “refuzon paraburgimin arbitrar të dy gazetarëve dhe një fotoreporteri të agjencisë EFE”.

“Ne kërkojmë lirimin e menjëhershëm dhe respektimin e jetës së tyre,” tha Trujillo në një postim në Twitter.

Ministri i Jashtëm venezuelas, Jorge Arreaza mbrojti autoritetet e vendit të tij, duke thënë se disa gazetarë hynë në vend pa leje pune dhe disa u përpoqën të hyjnë në pallatin presidencial pa asnjë akreditim.

“Ashtu si në çdo vend tjetër në botë, gazetarët nuk mund t’i caktojnë vetes akreditim”, tha Arreaza në Twitter.

“Mediat dhe agjencitë ndërkombëtare e dinë se me qëllim që të shmangin shqetësimet e panevojshme, ata duhet të kryejnë procedurat e nevojshme në konsullatat përpara udhëtimit të tyre në vend”, shtoi ai.

Unioni Kombëtar i Punonjësve të Shtypit (SNTP) të Venezuelës njoftoi se dy gazetarë francezë gjithashtu u arrestuan të mërkurën pranë Pallatit Presidencial Miraflores në Caracas, ndërsa dy gazetarë kilianë u dëbuan.

Venezuela është përfshirë nga protestat që nga 10 janari kur presidenti Maduro u betua për një mandat të dytë pas bojkotimit të zgjedhjeve nga opozita.

Javën e kaluar, Juan Guaido, udhëheqësi i Asamblesë Kombëtare të udhëhequr nga opozita, u shpall president dhe tërhoqi vëmendjen ndërkombëtare.

Pas demonstratave dhe trazirave në Venezuelë, të paktën 268 protestues janë arrestuar që nga 21 janari në të gjithë vendin.