Ballkani eliminohet nga Championsi

Ballkani nuk ia doli të kalojë në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Kampioni i Kosovës në futboll të mërkurën mbrëma pësoi humbje të thellë nga Ludogoretsi dhe është ndalur në raundin e parë kualifikues të Champions.

Në Razgrad të Bullgarisë, kampioni i këtij vendi ka dominuar plotësisht për të fituar në fund me rezultatin 4:0. Kështu fitorja 2:0 e Ballkanit në ndeshjen e parë në Prishtinë doli të mos jetë as për së afërmi e mjaftueshme. Me paraqitjen para tifozëve të vet, Ludogoretsi ka dëshmuar pse është skuadër e nivelit më të lartë dhe pse ka arritur suksese edhe në Evropë në dekadën e fundit.

Në fakt Ludogoretsi ishte vlerësuar favorit i madh ndaj Ballkanit kur u hodh shorti. Por pas fitores 2:0 në ndeshjen e parë, Ballkani ishte në pozitë të mirë për të avancuar tutje. Dhe optimizmi ishte rritur dukshëm te suharekasit.

Megjithatë pak gjëra funksionuan të mërkurën mbrëma, kryesisht për meritë të lojës së mirë të Ludogoretsit. Kampioni bullgar kaloi në epërsi që në minutën e katërt.

Dy gabime në mbrojtje i mundësuan Bernard Tekpeteyt të shënoi për 1:0. Ludogoretsi vazhdoi dominim.

Një tjetër vendosje jo e mirë në mbrojtjen e kampionit kosovar solli golin e dytë. Ganezi Tekpetey shënoi për 2:0 në minutën e parë shtesë të pjesës së parë. Me të nisur pjesa e dytë mbrojtja e Ballkanit rreshtoi disa gabime. Njërën prej dhuratave e shfrytëzoi Matias Tissera që shënoi për 3:0 në minutën e 49-të. Ky rezultat i mjaftonte Ludogoretsit për avancim tutje. Por skuadra bullgare shënoi edhe golin e katërt. Caio Vidal Rocha realizoi për 4:0 në minutën e 78-të. Prapë Ballkani gaboi në mbrojtje. Kampioni kosovar në pjesën e parë krijoi disa gjysmëraste.

Ndërkohë në pjesën e dytë iu afrua golit përmes Almir Kryeziut, që nuk ishte i saktë. Fare në fund provoi edhe Lorenc Trashi. Ballkani tani zhvendoset në raundin e dytë të Ligës së Konferencës. Në këtë garë vjet shkroi histori. Kështu raundi i dytë kualifikues i Championsit mbetet ende i paarritshëm për skuadrat kosovare.