Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Balluku: Unë, drejtësia dhe 300 apartamentet!

Balluku: Unë, drejtësia dhe 300 apartamentet!

Belinda Balluku

Përbetimi publik i një “ish”-i tashmë: Asnjë lidhje me korrupsionin!

Belinda Balluku i dorëzoi detyrën ministrit të ri të Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, ku njëherësh u përbetua publikisht se nuk ka asnjë lidhje me çfarë akuzohet.

“Nuk kam pasur dhe as nuk kam lidhje me korrupsionin.Po më bëhet gjyq publik”, u shpreh kjo figurë e lartë qeverisëse deri dje, tashmë nën shënjestrën e SPAK-ut.

Balluku foli dhe për raportin e saj me drejtësinë

“Kam marrë një vendim personal, me vullnet të lirë, që të hesht për një çështje juridike, pasi unë besoj se çdo çështje juridike nuk zgjidhet as në media sociale dhe as në bankete mediatike, por duhet të ketë rrjedhën e saj ashtu siç e parashikon Kushtetuta, kodet apo ligjet në fuqi.

Kam vendosur, ndryshe nga shumë të tjerë, të mos analizoj, të mos flas dhe të mos anatemoj, por të jem konsistent në qëndrimin tim sa i takon drejtësisë. Drejtësia duhet të jetë e lirë dhe e pavarur.

Unë besoj tek kjo drejtësi dhe nuk do të më dëgjoni kurrë as ta lavdëroj kur ajo godet kundërshtarët e mi politikë, pasi unë nuk kam kundërshtarë të tillë, dhe as ta anatemoj kur kjo drejtësi mund të prekë interesat e mi personalë.

Nuk do të më dëgjoni kurrë të përmend prokurorë dhe gjyqtarë, pasi besoj se ata duhet të bëjnë detyrën e tyre, ashtu siç e kam bërë edhe unë, dhe secili duhet të jetë i lirë për të vendosur dhe gjykuar pa qenë i ndikuar nga gjykata publike, nga gjysmë të vërteta apo nga gënjeshtra”, arsyetoi ajo.

Balluku përmendi dhe 300 apartamentet që i atribuohen asaj, sigurisht jo nga ndonjë akuzë zyrtare, por nga përfolje publike. “S’kam as 300 as 30 dhe as tre apartamente, as një e as dy jahte, as limuzina, as helikopterë dhe avionë, por të gjitha këto janë pjesë e një gjyqi publik që fatkeqësisht bëhet me lehtësinë më të madhe në këtë vend. Por për të thënë të drejtën unë jam rritur me gjyqe publike”.