Banka Botërore: Ndihmat për të gjithë lidhur me faturat e energjisë do të kushtojnë shumë

Është shumë e kushtueshme për qeveritë që të ndihmojnë të gjithë njerëzit me faturat e tyre të larta të energjisë, ka paralajmëruar Banka Botërore.

Presidenti i bankës tha se skemat e mbështetjes për Covid nuk ishin targetuar mjaftueshëm ndaj shtresave më vulnerabël dhe borxhet e marra nga qeveritë do të kërkojnë shumë dekada për t’u shlyer.

David Malpass tha për BBC se po ndiqet po e njëjta politikë për të ndihmuar njerëzit të përballen me rritjen e faturave të energjisë.

“Qeveritë thonë se do të kujdesen për të gjithë, por kjo gjë është shumë e kushtueshme,” tha ai.

Kjo gjë po e rrit borxhin global në nivele rekord dhe njerëzit me më pak të ardhura janë ata që do të preken më shumë, tha ai.

Deklarata vjen pasi një studim sugjeron se skema e mbështetjes për energjinë në Mbretërinë e Bashkuar është shumë e shtrenjtë në formën e saj aktuale.

Qeveria po kufizon faturat mesatare për familjet që përdorin një sasi normale energjie, në 2,500 £ në vit për gjashtë muaj, por do ta rishikojë këtë masë mbështetëse në muajin prill.

Instituti Kombëtar i Kërkimeve Ekonomike dhe Sociale tha se skema aktuale mund të kushtojë rreth 30 miliardë paund, sepse nuk ishte e targetuar për shtresat më vulnerabël.

Instituti tha gjithashtu se familjet mund të kursenin deri në 20 miliardë paund në vit nëse do të nxiteshin që të investonin në masat e kursimit të energjisë, si për shembull te panelet diellore.

Krahasimi me pandeminë e Covid

Gjatë pandemisë, qeveritë morën shuma tepër të larta parash në formën e huave për të kapërcyer izolimet.

Qeveritë paguan për skemat e mbajtjes së vendeve të punës, shtuan pagesat e benefiteve dhe dhanë kredi e grante për bizneset që u detyruan të mbylleshin nga pandemia.

Malpass tha për BBC se ekziston një pikëpamje e gjithëpranuar ekonomike, sipas së cilës duhet të kishte një rrjetë të sigurisë sociale, njëfarë mbrojtjeje për njerëzit gjatë një krize.

Subvencionet duhet të jenë të përkohshme dhe të targetuara për ata që kanë më shumë nevojë për to, tha ai.

Por, Malpass tha se shumë nga subvencionet e dhëna gjatë pandemisë Covid nuk ishin të targetuara. “Ato shkuan te të gjithë… dhe tani ne po vuajmë pasojat.”

“Njerëzve do t’u duhen vite, e madje dekada të tëra, për ta paguar atë borxh,” shtoi ai.

Instituti i Financave Ndërkombëtare raporton se borxhi global arriti në 305 trilion dollarë në fillim të vitit dhe pritet të rritet akoma më shumë.

Lufta në Ukrainë po shkakton rritjen e çmimeve të energjisë. Në të gjithë Europën, qeveritë kanë prezantuar subvencione për energjinë për të ndihmuar familjet që të mund të paguajnë çmimet e larta.

Kriza energjetike vjen në një kohë kur qeveritë kanë krijuar shuma të mëdha borxhi nga pandemia.

Malpass tha se ishte i shqetësuar se ndihmat shtesë për njerëzit do ta rrisin akoma më tepër inflacionin.

Fondi Monetar Ndërkombëtar pret që inflacioni global të arrijë pikën më të lartë këtë vit në 9.5% dhe thotë se ai nuk do të fillojë të bjerë deri në vitin 2024. Inflacioni po bën që shumë vende me të ardhura të ulëta të mos mund të paguajnë dot kreditë e tyre, si dhe po i shtyn njerëzit më vulnerabël drejt varfërisë. /revistamonitor