Barcelona e Xavit vazhdon me fitore në La Liga

Barcelona ka shënuar fitore ndaj Villarreal si mysafir me rezultat 3-1 në kuadër të javës së 14-të.

Katalunasit e nisën më mirë takim duke krijuar tri raste të mira në dhjetë minutat e para.

Abdessamad Ezzalzouli dhe Gavi rrezikuan të parë në këtë fillim, ndërsa rast të mirë pas disa minutash kishte edhe Memphis Depay.

Në fundin e pjesës së parë Villarreal kishte epërsinë në lojë, duke rrezikuar me Pau Torres dhe Arnaut Danjuma, por pa gjetur rrjetën.

Me të filluar pjesa e dytë të besuarit e Xavit gjetën golin e parë.

Frenkie de Jong ishte në vendin e duhur dhe në kohën e duhur për të shënuar për 1-0.

Pas golit Barcelona u kthye pas në mbrojtje, duke vuajtur shumë nga sulmet e ‘Nëndetëses së verdhë’.

Villarreal gjeti golin e barazimit në minutën e 76-të, kur Danjuma pasoi te Samuel Chukwueze që shënoi për 1-1.

Por Barcelona përfitoi nga një kundërsulm, kur Depay luajti bukur në zonë, kaloi portierin dhe shënoi për 2-1.

Në kohën shtesë Barcelona fitoi penallti me Philippe Coutinhon, i cili vet e mori përsipër gjuajtjen dhe shënoi për 3-1.

Kjo fitore e ngjitë Barcelonën në vendin e 7-të me 23 pikë.