Në ditën e katërt të Javës Kundër Korrupsionit,organizatat joqeveritare mbajtën tryezën e radhës. Tema e këtij diskutimi ishte “Farmacia pa ilaç”.
Saranda Ramaj, nga instituti Columbus tha se çmimet e barnave në Kosovë vitet e fundit janë rritur dhe janë shumë të shtrenjta se sa çmimi real, raporton Ekonomia Online.
“Viteve të fundit janë rritur çmimet e barnave blerjet janë shumë më të shtrenjta se sa çmimi real. Dëmi është milionësh ndërsa ende nuk kemi parë ndonjë iniciativë për të ndryshuar këtë situatë. Kemi të bëjmë me një situatë ku nuk është rritur cilësia e barnave, por çmimet”.
Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismajli, tha se është duke u përballur me një situatë të vështirë të trashëguar nga qeverisjet e mëhershme.
Ai tha se ka trashëguar një sistem që ka mungesë të madhe të barnave, ngase 30 barna nga 300 gjithsej marrin 60 për qind të buxhetit.
Ismaili tha se është duke u punuar që përkundër faktit që beson se bizneset private janë shtyllë e ekonomisë së Kosovës, ato duhet të zbatojnë rregullat e institucioneve.