Bashkëveprimi ynë me botën virtuale

Mr. Adnan Shala

Me zhvillimin e teknologjisë shumë gjëra ndryshuan, e ndër to janë perceptimi ynë ndaj botës që na rrethon, vlerat që i posedojmë dhe konceptet me të cilat veprojmë. Njeriu është i prirë t’i reduktojë gjërat në një dimension konkret. E njëjta ndodhë edhe me konceptin e virtuales.

Termin “virtual” në një gjykim kuturu ne zakonisht e reduktojmë në termin vizual. Virtualja është më e gjerë dhe e tejkalon vizualen. Nëse ne e ndryshojmë perceptimin mbi virtualen ndoshta mund të kemi një raport më të shëndetshëm me të dhe si pasojë edhe me atë të cilën e quajmë vizuale. Vizualja vihet në pah nga shikimi, kurse virtualja mund të krijohet edhe nga mendja e njeriut. Këtu do të mundohemi ta paraqesim një raport më ndryshe që mund të ndërtohet me virtualen.
Në filozofinë antike, Platoni e bëri një ndarje ndërmjet të vërtetës dhe të perceptueshmes. Ajo e cila perceptohet nëpërmjet pesë shqisave e quajti oraton (universi i dukshëm) dhe dija me anë të së cilës bëhet njohja e këtij universi e quajti doxa (mendim). Pjesa tjetër që konceptohet nga mendja e quajti noeton, dija me anë të së cilës bëhet njohja e këtij dimensioni quhet episteme (dijeni). Bota në të cilën jetojmë e në të cilën ka kohë, ajo nuk është e vërteta, ajo është një botë e mbizotëruar nga virtualja.
Platonit në dialogun e tij “Timaios”, e i cili dialog është i shkruar në kohën e fundit të jetës se tij e trajton teorinë e tij fizike dhe kozmologjike. Duke folur rreth fillimit të universit ai e përmend perëndinë Demiurgos i cili portretizohet si transformuesi i kozmosit nga kaosi. Meqenëse ideja e krijimit nga asgjëja është e huaj për filozofinë greke, Demiurgos e modeloj materialin ekzistues duke marrë për model botën e ideve.(1) Sipas Platonit, gjithë ajo çfarë ne shikojmë në këtë botë ajo ekziston si ideale në botën e ideve por ato janë të patëmeta. Kurse kopjet e tyre pasi që janë të përbëra nga materia ato janë të paplota. Demiurgos vendosi që këtë univers ta vendos në kohë dhe si rezultat kopja e kësaj bote të përjetësisë u bë kopja më e përkryer.
Platoni thotë se koha është një tregues i botës së përjetshme. Platoni e kupton kohën si një fotografi ose hije të përjetësisë. Sipas këtij kuptimi, koha është aktive në të gjithë botën e qenieve dhe e mbart atë në vetën e saj. Kështu që gjërat nuk e mundësojnë kohën. Ato mund të ndodhin dhe të ekzistojnë vetëm në kohë.(2)
Koha është si një skenë ku ndodhë paraqitja e kopjeve të ideve, pra botës së përjetësisë dhe është shpirti i njeriut që e kupton këtë. Në fakt, do të ishte e pakuptimtë të bëjmë dallimin midis realitetit dhe pamjes, ose midis realitetit dhe kopjimit, nëse nuk do të ishte për shpirtin e njeriut. Sipas Platonit pasi që shpirti i takon botës së përjetësisë, vetëm ai ka mundësi ta kuptojë kohën dhe të bëj dallimit ndërmjet dy botëve.
Kjo paraqitje në kohë mund të krahasohet me personazhet e shkruara në të gjitha faqet në një fletore. Nëse i lëvizim shpejt ata do të fillojnë të lëvizin dhe kjo do të fitojë tërësi. Kështu krijohet ndjesia se ato kanë fituar jetë. Kur është kështu, do të ishte më e arsyeshme të përshkruajmë gjithçka në një tërësi sesa të përshkruajmë një nga një. Për shembull, le të shqyrtojmë shfaqjen e një historie të shkruar në skenë. Le të vihet në skenë gjithçka nga ajo që është shkruar në libër. Dhe kjo shfaqje lë të jetë dhënë në më shumë se një vend. Në secilën shfaqje le të përdorën kostume të reja dhe çdo herë me aktorë të rinj. Dhe le të fillojë secila nga këto shfaqje në të njëjtën kohë. Cila nga shfaqjet është realizimi i vërtetë i historisë së shkruar në këtë libër? Ato janë bërë sipas të njëjtit shembull, kanë fituar jetë dhe më e rëndësishmja, të gjitha janë pjesë e kohës. Marrëdhënia midis kësaj bote dhe botës së përjetësisë është e ngjashme me këtë. Pra, ne mund të kishim trupa të tjerë, veshje të tjera, skenë tjetër, pra të ishim krijuar në një vend tjetër dhe prapë të ishim realizimi i njëjtë i asaj se çfarë është shkruar në botën e përjetësisë.
Një mendim të ngjashëm e hasim edhe në modernitet, ku edhe Bergson bën një ndarje ndërmjet të vërtetës dhe asaj që është aktuale. Sipas tij, aktualja apo realja është në të tashmen dhe gjithmonë nënshtrohet ndryshimit, ndërsa e vërteta është në të kaluarën dhe ruhet në memoriet tona. Sipas Bergson, e kaluara është e ruajtur si fakt në të kaluarën, kurse e tashmja është procesi i cili pëson vazhdimisht ndryshim, e ndryshimi nuk është e vërteta edhe pse është real dhe aktual. Pasi e bën këtë dallim ndërmjet së tashmes dhe së kaluarës, është më lehtë të përcaktohet se ku qëndron saktësisht koncepti mbi virtualen në mendimin e tij. Gjatë kohës kur jetonte Bergson, në përgjithësi kishte një përpjekje për të minimizuar efektin e të “tashmes” në teoritë e kohës. Se si ruhet dhe krijohet ajo e vërtet nuk është tema jonë, por le të shohim se çfarë ndodh kur e marrim një moment nga e kaluara (e vërteta) dhe dëshirojmë ta kujtojmë atë. E kaluara është fiksuar në kujtesën tonë, si një fotografi. Ajo është e plotë në të kaluarën. Ndërsa qëndrojmë atje, kur e kujtojmë, shkojmë tek ajo atë që ne e quajmë e kaluara dhe vendosemi diku afër momentit që dëshirojmë ta kujtojmë. Pastaj e marrim atë moment dhe përpiqemi ta ringjallim, por ndërsa bëjmë këtë, nuk mund ta kujtojmë kurrë saktësisht ashtu siç është, sepse del vetëm virtualisht dhe gjithmonë pasurohet ekzistenca e tij. Pra, nëse e kujtojmë një ngjarje nga e kaluara dy herë në një interval kohorë disa sekondash, këto dy procese asnjëherë nuk janë të njëjta, pra në të dyja kujtimet kemi elemente të cilat i bëjnë të dallojnë njëra nga tjetra sepse janë në boten virtuale dhe kjo e mundëson këtë, ashtu siç e pamë edhe tek shfaqja teatrale. Ne kurrë nuk kthehemi në të kaluarën nga tani, ne gjithmonë kthehemi në të kaluarën duke u hedhur nga këtu. Sepse e kaluara ekziston me të tashmen. Është si të kalosh në një dimension tjetër dhe të shohësh të kaluarën.(4) Me fjalë të tjera, siç tha poeti, “bota e ardhme nuk është një botë tjetër, bota e ardhme është ta shohësh këtë botë ndryshe”.
Ne gjithmonë mund ta shohim virtualen si një pasurim i realitetit. Ajo që dua të them është se faktet virtuale gjithmonë bashkëjetojnë me realitetin. Mendimi perspektiv është gjithashtu një mendim i afërt me këtë. Nëse them që këto fytyra të padukshme të objektit janë të dizajnuara, dua të them se ato nuk janë konceptuar si gjëra që ekzistojnë në të vërtetë, sepse nuk mund ta perceptoj atë në mënyrë aktive kur ajo që është krijuar nuk është para nesh.(5) Por, unë gjithashtu e di që është me atë objekt, sepse vetëm një fytyrë e një sendi bëhet aktuale në të njëjtën kohë, ndërsa fytyrat e tjera janë të pranishme si të mundshme. Pra, nëse para nesh qëndron një kub nga eksperiencat e ma hershme unë e di se ai ka gjashtë faqe, mirëpo unë mund ti shoh në të njëjtën kohë vetëm tri nga to. Por, po të mos ekzistonte virtualja unë nuk do të mund ta kisha para syve edhe pjesën që nuk shihet. Unë atë pjesë e perceptoj me anë të virtuales. Pra, virtualja e pasuron ekzistencën. E mundshmja fillon të rritet sapo të realizohet virtualja. Virtualja gjithmonë bashkëjeton me kujtesën, kohën dhe perceptimin. Koha nuk do të ekzistonte nëse nuk do të ishte virtualja. Do të ishte e tashmja, por meqenëse nuk do të kishte asnjë vazhdimësi të së kaluarës, çdo moment do të ishte si një fotografi dhe asnjë kujtim nuk do të mund të animohej.
Deri këtu pamë një formë se si mund të kuptohet virtualja, por si duhet të ndikojë e tërë kjo në perceptimin tonë. Ne virtualen duhet ta shohim si një dritare nga mund ta krijojmë të vërtetën tonë universale. Në botën moderne nuk pretendohet në të vërteta absolute, por kemi të vërteta universale të cilat i pranojmë ose i tejkalojmë me ndonjë të vërtetë tjetër. Por, si do të jetë virtualja, kjo dritare e cila do të na mundësojë këtë. Për ta paraqitur sa me thjesht, do ta përdorë një rrëfenjë e cilat përdorët për të treguar efektin e virtuales.
Në një rrëfenjë të shekullit të XII, ku thuhet se mbreti norvegjez dhe mbreti suedez po orvateshin ta merrnin një qytet të vogël. Meqenëse e konsideronin të paarsyeshme dhe se nuk ia vlente të luftohet për një qytet të vogël, ata vendosen të hedhin zar dhe numri më i madh do të fitonte. Mbreti suedez e hedh zarin i pari dhe e hedh numrin gjashtë, gëzohet sepse është në një pozicion shumë të favorshëm. Por, kur mbreti i Norvegjisë e hedh dhe e qëllon gjashtë ata vendosin t’i hedhin zaret përsëri. Mbreti suedez qëllon përsëri gjashtë. Pastaj i thotë mbretit të Norvegjisë: “Mos u mundo fare, nuk mund të qëlloni përsëri gjashtë”. Mbreti i Norvegjisë i përgjigjet, “Epo ka shume gjashta në pasurinë e Zotit dhe Zoti im i mirë mund të më dhurojë edhe mua një gjashtë tjetër”. Dhe e hedh zarin. Ai e hedh aq fort sa zari thyhet, një pjesë vjen gjashtë, pjesa tjetër një. Shuma e të dy numrave bën shtatë dhe mbreti i Norvegjisë e fiton qytetin.(6)
Virtualen pra nuk duhet ta kuptojmë si një iluzion, por si një botë ku ne jetojmë në të siç thoshte Platoni, është vetë mendimi ynë siç thoshte Bergsoni apo edhe vetë pikëpamja jonë siç thoshte Merleau-Ponty. Nëse ne e kuptojmë në këtë mënyrë, atëherë ne mund ta shohim mundësinë e fitimit të numrit shtatë edhe aty ku maksimumi është gjashtë. Nëse e shikojmë në këtë mënyrë atëherë ne veprojmë më përgjegjësi edhe në këtë dimension virtual, sepse ashtu siç kemi përgjegjësi për jetën të cilën e jetojmë, mendimin që ne e zhvillojmë dhe pikëpamjen se si i shikojmë gjërat, ne do të kemi përgjegjësi edhe si të menaxhojmë me botën virtuale. Njeriu nuk do të pyetet vetëm për veprimet aktive të tij por edhe për mos veprimet kur është dashur të veprohet. Menaxhimi i mirë me botën virtuale nuk është një alternativë e mundshme, por një përgjegjësi e pashmangshme. Ne duhet ta shohim atë të cilën nuk e kanë parë të tjerët dhe ta përçojmë mesazhin hyjnor në mënyrën më të mirë. Në botën virtuale ligjet e botës reale nuk janë determninuese, kësisoj ne mund ta zëmë hapin e zhvillimit të së vërtetës sonë. Nëse pretendojmë se mesazhi ynë është universal, atëherë do të duhej që ky mesazh të ishte i përshtatshëm për secilin dimension të mundshëm, pra edhe i atij virtual.
Nga ajo çfarë u tha deri me tani, pra nëse virtualja nuk është opozitë e së vërtetës dhe reales, por është pasurim i tyre, të gjitha përgjegjësitë të cilat bien mbi njeriun në botën reale duhet të jenë edhe në botën virtuale. Pra ne duhet të jemi shembull se si ndërtohet një civilizim në botën reale, në të njëjtën kohë duhet të jemi shembull se si ruhet ky civilizim edhe në botën virtuale. Me pak fjalë, çdo gjë në këtë univers duhet të jetë në harmoni me mesazhin hyjnor nëse nuk është në harmoni është përgjegjësi kolektive të bëhet harmonizimi i saj. Edhe mundësia e krijuar nga bota virtuale është një përgjegjësi kolektive derisa nuk del dikush të na lirojë nga kjo përgjegjësi.

______________
1. Platon: Timaios, 37a-e.
2. Fatma Paksut, Platon ve Platon sonrasi Ayyildiz Matbaasi A.S Ankara
1980 s.221
3. Gilles Deleuze, Bergsonculuk, Çeviren: Hakan Yucefer, Otonom yay. 2006 Istanbul s.87.
4. Gilles Deleuze, Bergsonculuk, Çeviren: Hakan Yiicefer, Otonom yay. 2006 Islanbul s.87.
5. Maurice Merleau-Ponty, Algimn Onceligi ve Onun Felsefi Sonuçlari, çev. Yusuf Yildirim, yay Kabalci, Istabnbul 2005 s. 46.
6. Sureyya Su, Gilles Deleuze’un Dusuncesinde Goçebelik ve Virtuellik, Dogu Bati Dergisi Sayi: 65 s.146-165 s.164.

Mr. Adnan Shala
Dituria Islame 365