Bashkimi Evropian premton 9 miliardë euro ndihmë për Ukrainën – VIDEO

Shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, njoftoi sot një ndihmë shtesë makro-financiare prej 9 miliardë eurosh për Ukrainën, raporton Anadolu Agency (AA).

“Kemi propozuar të plotësojmë lehtësimin e konsiderueshëm afatshkurtër të ofruar deri më tani, me një ndihmë të re të jashtëzakonshme makro-financiare për Ukrainën deri në 9 miliardë euro në vitin 2022”, tha von der Leyen.

Ajo tha se BE-ja ka përgjegjësi dhe interes strategjik në udhëheqjen e përpjekjeve për rindërtimin e vendit dhe propozoi ngritjen e një platforme rindërtimi.

Ajo shpjegoi se platforma, e udhëhequr nga Ukraina dhe organi ekzekutiv i BE-së, do të koordinojë përpjekjet e anëtarëve të BE-së, vendeve të tjera dhe donatorëve ndërkombëtarë, si dhe institucioneve financiare ndërkombëtare, shpjegoi ajo.

Sipas saj, rindërtimi i Ukrainës “duhet të kombinojë investimet me reformat”, duke përfshirë fusha si “anti-korrupsioni, kapaciteti administrativ, sundimi i ligjit dhe pavarësia e gjyqësorit”.

“Këto investime do të ndihmojnë Ukrainën të dalë më e fortë dhe më elastike nga shkatërrimi i shkaktuar nga ushtarët e Putinit”, tha ajo.

Të paktën 3.752 njerëz janë vrarë dhe 4.062 janë plagosur në Ukrainë që nga fillimi i luftës më 24 shkurt, sipas vlerësimeve të OKB-së. Numri i vërtetë besohet të jetë shumë më i lartë.

Mbi 6,2 milionë njerëz kanë ikur në vende të tjera dhe rreth 7,7 milionë janë zhvendosur brenda vendit, sipas agjencisë së OKB-së për refugjatët. /aa