Ballina Lajmet Rajon dhe Botë BBC: Një luftë që mund të përkeqësohet shumë…

BBC: Një luftë që mund të përkeqësohet shumë…

Komente dhe parashkime mbi konfliktin në Lindjen e Mesme

Konflikti në Lindjen e Mesme është përshkallëzuar tashmë më shpejt se sa parashikuan shumë analistë, dhe ekspertët e sigurisë paralajmërojnë se situata mund të bëhet edhe më serioze. Korrespondenti i sigurisë i BBC-së, Frank Gardner, deklaron se konflikti tashmë ka prekur Libanin dhe Qipron, ka ndërprerë trafikun detar përmes Ngushticës së Hormuzit dhe ka çuar në sulme ndaj objektivave që nuk janë ekskluzivisht ushtarake në natyrë në vendet e Gjirit Arabik.

Sipas analizës së tij, Shtetet e Bashkuara njoftojnë se “goditja më e madhe ende nuk ka ardhur”, gjë që nënkupton mundësinë e sulmeve më intensive ndaj Iranit. Një zhvillim i tillë, paralajmëron Gardner, pothuajse me siguri do të çonte në një numër më të madh viktimash civile dhe destabilizim shtesë të rajonit.

Një skenar që po merret në konsideratë është mundësia që Irani të shënjestrojë impiantet e desalinizimit të ujit në vendet në anën arabe të Gjirit. Këto impiante janë thelbësore për furnizimin me ujë të pijshëm në vendet ku temperaturat tashmë kalojnë 30 gradë Celsius, siç është Abu Dhabi. Sulmet ndaj një infrastrukture të tillë mund të shkaktojnë një krizë serioze humanitare.

Mundësia e sulmeve ndaj impiantit të naftës dhe gazit në Gji gjithashtu nuk përjashtohet, duke kujtuar sulmin me dron të vitit 2019 ndaj Saudi Aramco, kur eksportet e naftës saudite u përgjysmuan përkohësisht. Përveç kësaj, Irani mund të nisë një valë sulmesh kibernetike, jo vetëm kundër vendeve fqinje, por edhe kundër Mbretërisë së Bashkuar, ku qeveria tashmë i ka paralajmëruar kompanitë të rrisin masat e sigurisë.

Analistët vlerësojnë se përshkallëzimi i mëtejshëm i konfliktit do të kishte pasoja serioze për sigurinë globale të energjisë, si dhe për ekonominë në të gjithë botën.