Bashkimi Evropian (BE) ka bërë thirrje për vetëpërmbajtje dhe zgjidhje politike lidhur me krizën e përjetuar pas heqjes së statusit të veçantë të Xhamu Kashmirit nga India, transmeton Anadolu Agency (AA).
Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijançiç në një konferencë për media tha se BE-ja është e angazhuar në një punë intensive diplomatike për këtë çështje dhe se Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Federica Mogherini, ka biseduar me ministrat e Jashtëm të Pakistanit dhe Indisë.
“BE mbron idenë se problemi që shkakton destabilitet dhe pasiguri në rajon duhet të përfundojë vetëm me një zgjidhje politike dypalëshe”, tha Kocijançiç duke bërë të ditur se tensionet në rajon duhet të shmangen.
– India hoqi statusin e veçantë të Xhamu Kashmirit
India më 5 gusht duke anuluar nenin 370 kushtetues që i njeh Kashmirit statusin e veçantë për më shumë se gjysmë shekulli, eliminoi strukturën me status të veçantë të rajonit dhe e ndau Xhamu Kashmirin në territorin e dy njësive.
Që nga viti 1947, kur India fitoi pavarësinë nga Britania e Madhe, Xhamu Kashmiri ishte në një pozitë të privilegjuar të miratonte ligjet e veta. Ky status i veçantë përfshinte ligjin e shtetësisë, i cili nuk lejonte që të huajt të vendoseshin dhe të përfitonin pronë në rajon.
Qeveria nacionaliste e Partisë Popullore Indiane e udhëhequr nga kryeministri i Indisë, Narendra Modi, i cila në fjalimet gjatë fushatës zgjedhore, premtoi heqjen e statusit të veçantë të Xhamu Kashmirit, me vendimin e marrë i dha fund pozicionit të privilegjuar të Xhamu Kashmirit duke shfuqizuar strukturën autonome të njohur në rajon pas pavarësisë.
Në vendimet e marra nga Këshilli i Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) që nga viti 1948, thuhet se Kashmiri duhet të pastrohet nga ushtarët dhe se e ardhmja e tij duhet të përcaktohet me referendum popullor. India nuk pajtohet me referendumin ndërsa Pakistani kërkon të zbatohen vendimet e KS të OKB-së.








