BE dhe OKB mesazh për rritjen e bashkëpunimit përballë sfidave globale

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel tha se do të bisedojnë se si mund të forcohet bashkëpunimi konkret në nivel ndërkombëtar përballë sfidave globale, transmeton Anadolu Agency (AA).

Michel dhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, mbajtën një konferencë të përbashkët për media përpara Samitit të Liderëve që zhvillohet në Bruksel.

“Një BE e fortë dhe një OKB e fortë është pozitive për botën”, tha Michel i cili shtoi se këto institucione e bëjnë botën më të drejtë.

Ai tha se në samit, liderët e 27 vendeve anëtare do të shkëmbejnë pikëpamjet me Guterres. “Do të bisedojmë se si mund të forcohet bashkëpunimi konkret në nivel ndërkombëtar përballë sfidave globale”, tha Michel.

Kreu i OKB-së, Guterres potencoi se bota dhe shoqëritë përballen me shumë kërcënime ekzistenciale.

Ai tha se brishtësitë janë rritur në fusha të tilla si pandemitë, ndryshimi klimatik, parregullsitë në fushën kibernetike, rritjen e pabarazisë, mungesën e besimit në shoqëri, ndarjet gjeopolitike dhe përhapjen e armëve bërthamore. “Të gjitha këto brishtësi tregojnë se sa e rëndësishme është rritja e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe sigurimit të multilateralizmit më të fuqishëm dhe gjithëpërfshirës”, tha Guterres.

Sipas tij, në ditën e sotme ka nevojë për një Evropë më të fuqishme, më aktive dhe më të bashkuar. Guterres vuri në dukje se BE-ja është një partner strategjik dhe i nevojshëm për OKB-në në fusha të tilla si të drejtat e njeriut, paqja, siguria, zhvillimi i qëndrueshëm dhe klima.

Pasi ka rikujtuar se një e katërta e shpenzimeve të OKB-së përballohen nga BE-ja, Guterres theksoi se janë mirënjohës për partneritetin shembull në fjalë. /aa