BE: Izraeli të ndalojë ndërtimin e vendbanimeve ilegale

Bashkimi Evropian ka përsëritur thirrjen drejtuar Izraelit për të ndaluar ndërtimin e vendbanimeve ilegale, duke riafirmuar mbështetjen e saj për një zgjidhje me dy shtete në konfliktin palestinezo-izraelit dhe paqen e qëndrueshme, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Vendbanimet janë të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar dhe përfaqësojnë një pengesë të madhe për arritjen e një paqeje të drejtë, të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse midis palëve në zgjidhjen me dy shtete”, tha Zyra e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Marrëdhëniet me Jashtë dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell.

Në deklaratë thuhet se BE-ja kundërshton me forcë zgjerimin e vendbanimeve dhe nuk do të njohë asnjë ndryshim në kufijtë e para vitit 1967, përveç atyre të rënë dakord nga palët.

“Ne përsërisim thirrjen tonë ndaj qeverisë izraelite që të kthehet nga këto hapa të cilat janë plotësisht në kundërshtim me përpjekjet për të ulur tensionet dhe për të rivendosur qetësinë, të ndalojë ndërtimin e vendbanimeve dhe të përqendrohet në avancimin e masave të ndërtimit të besimit, avancimin e ri-angazhimeve kuptimplota midis palëve”, thuhet në deklaratë. Më tej theksohet se BE-ja do të vazhdojë të mbështesë paqen e qëndrueshme midis Izraelit dhe palestinezëve.

Më 27 tetor është dhënë miratim për ndërtimin e vendbanimeve të reja

Më 27 tetor, qeveria izraelite miratoi ndërtimin e 3.144 shtëpive të reja në vendbanimet ilegale hebreje në Bregun Perëndimor të okupuar.

Në të njëjtën ditë, pas takimeve të kryeministrit palestinez, Mohammad Shtayyeh në Bruksel, BE-ja konfirmoi mbështetjen e saj për përpjekjet e Palestinës për të krijuar shtetin dhe përkushtimin e saj për një zgjidhje me dy shtete në çështjen izraelito-palestineze.

Në Kudsin Lindor të pushtuar ka 13 vendbanime të paligjshme hebreje dhe 253 në Bregun Perëndimor. Më shumë se 660 mijë kolonë hebrenj që banojnë në këto vende e bëjnë jetën edhe më të vështirë për palestinezët që jetojnë nën okupim.

Sipas ligjit ndërkombëtar, të gjitha vendbanimet hebraike në territorin e pushtuar palestinez konsiderohen të paligjshme. /aa