BE-ja: Izraeli të ndalë aktivitetet që kërcënojnë qëndrueshmërinë e zgjidhjes me dy shtete

Në një deklaratë me shkrim nga Shërbimi i Punëve të Jashtme të BE-së, thuhet se evakuimi i vazhdueshëm me forcë nga Izraeli i palestinezëve nga shtëpitë e tyre në lagjet “Sheikh Jarrah” dhe “Silwan” në Jerusalemin Lindor, ku ata jetojnë prej dekadash, do të rrisë tensionet në terren dhe do të kontribuojë për një tendencë alarmante në rritje të evakuimit dhe shkatërrimit në një mënyrë shqetësuese në Bregun Perëndimor, përfshi këtu edhe Jerusalemin Lindor.

Duke kujtuar se Izraeli ka vendosur më 17 janar që të ndërtojë më shumë se 1.450 njësi banimi të reja ndërmjet lokaliteteve Givat HaMatos dhe Har Homa (Jabal Abu Ghneim) për “Planin e Akuaduktit të Poshtëm”, i cili përfshin territore në Jerusalemin Lindor të pushtuar; BE-ja i bën thirrje Izraelit që të ndalë këtë plan dhe të gjitha aktivitetet e lidhura me vendbanimet e paligjshme, të cilat do të minonin më tej mundësinë që Jerusalemi të jetë kryeqyteti i ardhshëm i të dy shteteve.

“Zgjerimi i vendbanimeve, prishjet dhe dëbimet janë të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar. Ato rrisin tensionet, kërcënojnë qëndrueshmërinë e zgjidhjes me dy shtete dhe pakësojnë shpresat për një paqe të qëndrueshme. BE-ja është e gatshme të mbështesë plotësisht palët për të hapur rrugën drejt rifillimit të procesit të paqes sa më shpejt të jetë e mundur”, theksohet në deklaratën e Shërbimit të Punëve të Jashtme të Unionit.

Mëngjesin e të mërkurës, policia izraelite arrestoi anëtarët e familjes Salhiyeh dhe më pas kreu shembjen e banesës së tyre në bashkëpunim me ekipet e Bashkisë së Jerusalemit, pas vendimit të kësaj të fundit për shpronësimin e shtëpisë së familjes palestineze në fjalë, në lagjen “Sheikh Jarrah” të Jerusalemit Lindor.

Pavarësisht reagimit ndërkombëtar, Izraeli vazhdon shembjen e shumë shtëpive palestineze në një përpjekje për të zgjeruar vendbanimet e jashtëligjshme hebraike në Jerusalemin Lindor dhe sidomos në lagjet “Sheikh Jarrah” e “Silvan”. /trt