BE-ja reagon ndaj serbëve të Bosnjës pas votimit për krijimin e autoritetit paralel gjyqësor

Vendimi i ligjvënësve serbë të Bosnjës për të votuar në favor të krijimit të një autoriteti të veçantë gjyqësor është “shkelje e papranueshme” e rendit kushtetues të Bosnjë dhe Hercegovinës, paralajmëroi Bashkimi Evropian, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Votimi i së enjtes nga Asambleja Kombëtare e Republikës Sërpska në favor të një ligji që krijon një Këshill të Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial të veçantë në Republikën Sërpska përbën shkelje të papranueshme të rendit kushtetues dhe ligjor të Bosnjë dhe Hercegovinës”, ka thënë në një deklaratë Peter Stano, zëdhënësi kryesor për punë të jashtme dhe politika të sigurisë i bllokut evropian.

Deklarata paralajmëron se ligji do të thellojë “pasigurinë dhe paqëndrueshmërinë ligjore” në sistemin gjyqësor dhe do të minojë seriozisht perspektivën evropiane të vendit.

“BE-ja u kërkon udhëheqësve të Bosnjë dhe Hercegovinës, në veçanti udhëheqjes së Republikës Sërpska, t’i japin fund hapave përshkallëzues” dhe të rifillojnë dialogun brenda institucioneve shtetërore, shtoi Stano.

Ministrat e Jashtëm të BE-së do të diskutojnë situatën në Bosnjë dhe Hercegovinë në takimin e tyre të ardhshëm më 21 shkurt.

Në vitin 1995, Marrëveshja e Paqes e Dejtonit që i dha fund luftës në Bosnjë krijoi një sistem të dyfishtë federativ të dy entiteteve kryesore: Republika Sërpska dhe Federata e Bosnjë dhe Hercegovinës me popullsi boshnjako-kroate.

Vendi ka hyrë në trazirat e tij më të rënda politike që nga fundi i luftës korrikun e kaluar, kur zyrtarët serbë filluan të bojkotojnë institucionet federale për shkak të një ligji të ri që ndalon mohimin e gjenocidit dhe kriminalizon glorifikimin e kriminelëve të luftës.

Kriza u përshkallëzua më tej në tetor, kur Millorad Dodik, kreu i entitetit Republika Sërpska, njoftoi largimin nga institucionet kryesore federale për të arritur sovranitetin. /aa