Ballina Lajmet Rajon dhe Botë BE-ja rrit fondet e mbrojtjes për Ukrainën

BE-ja rrit fondet e mbrojtjes për Ukrainën

Komisioni Evropian u bëri thirrje sot vendeve anëtare të BE-së që të aplikojnë për 21,3 miliardë euro (23,7 miliardë dollarë) financim në kuadër të raundit të dytë të instrumentit “Veprimi i Sigurisë për Evropën” (SAFE), me qëllim forcimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe mbështetjen e Ukrainës, transmeton Anadolu.

Sipas një deklarate, thirrja e dytë është e hapur për të gjitha vendet anëtare. KE-ja do të njoftojë ndarjet paraprake të fondeve brenda dy javësh nga marrja e shumave të synuara nga secili vend, pas përfundimit të afatit për dorëzimin e aplikimeve.

KE-ja “inkurajoi” vendet anëtare që t’i përdorin fondet për të thelluar bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes me Ukrainën, përfshirë përmes projekteve të prokurimit të përbashkët, të përfshira në planet e tyre kombëtare të investimeve.

KE-ja u kërkoi vendeve t’u japin përparësi nevojave urgjente ushtarake, veçanërisht sistemeve të mbrojtjes ajrore dhe kundër raketave, dronëve dhe sistemeve kundër dronëve si dhe municioneve dhe raketave. Financimi i ri është pjesë e instrumentit të huave SAFE në vlerë prej 150 miliardë eurosh, i miratuar në maj të vitit 2025 për të forcuar industrinë evropiane të mbrojtjes dhe gatishmërinë ushtarake përmes financimit afatgjatë.

Deri më tani, BE-ja ka miratuar marrëveshjet e huasë për të 19 vendet anëtare që vendosën të marrin pjesë në SAFE ndërsa marrëveshjet janë nënshkruar me 16 vende. KE-ja ka disbursuar afro 13,5 miliardë euro për 11 vende anëtare që kishin kërkuar financim paraprak.