BE-ja shpall paketë ndihme prej 721 milionë dollarësh për Sirinë brenda nje kornize të re bashkëpunimi

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë takimit të saj në Damask me presidentin e Sirisë, Ahmed al-Sharaa, ka njoftuar se Bashkimi Evropian (BE) ka hapur një “kapitull të ri” me Sirinë, me një paketë të mbështetjes financiare prej 620 milionë eurosh (721 milionë dollarë) për vitet 2026-2027 në kuadër të një marrëveshje bashkëpunimi me tre shtylla, transmeton Anadolu.

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa dhe von der Leyen zhvilluan vizitën e parë historike të këtij lloji në Damask, ku u takuan me udhëheqjen e re siriane për të diskutuar marrëdhëniet e ripërtërira dypalëshe.

Ajo tha se korniza e re e bashkëpunimit mbështetet në tre shtylla, fillimisht me partneritetin politik që nis këtë vit me një dialog të nivelit të lartë për të shqyrtuar se si BE-ja mund të mbështesë rimëkëmbjen, rindërtimin dhe paqen civile në Siri.

Shtylla e dytë ka të bëjë me bashkëpunimin ekonomik, siç theksoi von der Leyen, BE-ja hoqi të gjitha sanksionet vitin e kaluar, ftoi Bankën Evropiane të Investimeve të rifillojë aktivitetet në Siri dhe është e gatshme të diskutojë rihapjen e marrëveshjes së bashkëpunimit për akses në treg.

Shtylla e tretë, tha ajo, përfshin mbështetje të konsiderueshme financiare, pasi nevojat për rimëkëmbje dhe rindërtim të Sirisë mbeten “të mëdha” pas viteve të shkatërrimit.

Në kuadër të kësaj kornize të re, BE-ja planifikon të sigurojë rreth 620 milionë euro për vitet 2026 dhe 2027, që do të mbulojnë ndihmën humanitare, asistencën për rimëkëmbje të hershme dhe mbështetjen dypalëshe, me synim rivendosjen e shërbimeve thelbësore dhe rindërtimin e institucioneve shtetërore.

“Ne duam që sirianët të kenë një perspektivë reale për t’u kthyer në shtëpi dhe për të rindërtuar jetën e tyre këtu”, tha von der Leyen, duke shtuar se blloku do të forcojë bashkëpunimin me partnerët rajonal, përfshirë Turqinë, Jordaninë dhe Libanin, si dhe me agjencinë e OKB-së për refugjatët UNHCR për të mbështetur kthimin e sigurt, dinjitoz dhe vullnetar të sirianëve.

Ajo shprehu shqetësim për përshkallëzimet e fundit të dhunës, duke i quajtur ato “shqetësuese” dhe bëri thirrje për vazhdimin e dialogut ndërmjet të gjitha palëve.

“Pas dekadash frike dhe heshtjeje, sirianët nisën një rrugë të gjatë drejt shpresës dhe ripërtëritjes. Evropa do të bëjë gjithçka që mundet për të mbështetur rimëkëmbjen dhe rindërtimin e Sirisë”, shkroi më herët von der Leyen në platformën sociale të kompanisë amerikane X.

Ndërkaq, Costa në rrjetet sociale tha se “pas shumë vitesh lufte dhe vuajtjesh, rënia e regjimit të Assadit më në fund u ofroi pak shpresë popullit sirian”.

“Ende ka një rrugë të gjatë përpara, por ju tashmë keni hedhur hapat e parë”, tha Costa.

Vizita vjen pas angazhimit në rritje të BE-së me udhëheqjen e re të Sirisë. Në qershor të vitit 2025, komisarja e BE-së për Mesdheun, Dubravka Suica, vizitoi Sirinë dhe tha se blloku dëshiron ta shohë vendin të qëndrueshëm dhe të begatë nën autoritetet e reja.

Në muajin maj, gjithashtu edhe shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, njoftoi heqjen e sanksioneve ekonomike të vendosura nën regjimin e mëparshëm.

Bashar al-Assadi, udhëheqësi i Sirisë për gati 25 vjet, u arratis në Rusi duke i dhënë fund regjimit të Partisë Baath që ishte në pushtet që nga viti 1963. Një administratë e re kalimtare e udhëhequr nga al-Sharaa u formua në janar të vitit 2025.