BE mbështet misionin stërvitor për 15 000 ushtarë ukrainas

Ambasadorët e BE-së kanë miratuar misionin trajnimi ushtarak për rreth 15 000 ushtarë në forcat e armatosura të Ukrainës, njoftuan sot disa diplomatë.

Në sfondin e luftës së Rusisë kundër Ukrainës që filloi gati tetë muaj më parë, shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell propozoi në gusht, një nisme të re për të trajnuar trupat ukrainase.

“Misioni mund të përfshijë trajnime në fusha të tilla si logjistika dhe mbrojtja kundër armëve bërthamore, biologjike dhe kimike”, sipas deklaratave të mëparshme.

Vendimi i marrë nga ambasadorët e 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian do të miratohet zyrtarisht nga ministrat e Punëve të Jashtme të BE-së, të hënën në Luksemburg.

Misioni i BE-së fillimisht parashikohet të zgjasë dy vjet dhe trajnimi do të zhvillohet në vendet e BE-së si Polonia dhe Gjermania.

Disa shtete të BE-së tashmë po trajnojnë ushtarët ukrainas në bazë të marrëveshjeve kombëtare. Gjermania është përfshirë kryesisht në fushat e mbrojtjes ajrore dhe artilerisë.

Gjithashtu, Gjermania se bashku me Holandën po planifikojnë forcimin e trajnimeve për kundërmasat ndaj minave.

Qëllimi i misionit të BE-së është koordinimi i përpjekjeve të ndryshme të trajnimit që i ofrohen Ukrainës nga vende të ndryshme anëtare të BE-së.

Borrell tha më herët se trajnimi ushtarak për Ukrainën mund të sigurohet më mirë duke bashkuar kapacitetet me vendet anëtare dhe duke kërkuar specialitetin e secilit prej tyre.