Liderët e Bashkimit Evropian (BE) kanë miratuar planet për thellimin e tregut të përbashkët të bllokut deri në fund të vitit 2027, nën sloganin “Një Evropë, Një Treg”, ndërsa një udhërrëfyes i detajuar pritet të paraqitet në muajin mars, transmeton Anadolu.
Duke folur pas një takimi joformal në Alden Biesen të Belgjikës, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se do të paraqesë një udhërrëfyes dhe plan veprimi “Një Evropë, Një Treg” në Këshillin e BE-së në muajin mars, i cili do të përfshijë afate të qarta, objektiva dhe data konkrete zbatimi.
“Synojmë ta arrijmë këtë deri në fund të vitit 2027”, tha von der Leyen, duke shtuar se dokumenti pritet të miratohet si nga Këshilli Evropian ashtu edhe nga Parlamenti Evropian.
Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, nga ana e tij, tha se liderët zhvilluan një diskutim strategjik mbi konkurrueshmërinë dhe se rezultatet do të shndërrohen në angazhime konkrete në samitin e muajit mars.
– Regjimi i 28-të, rregulla të unifikuara për kompanitë
Një element qendror i planit është krijimi i një “regjimi të 28-të” vullnetar, i quajtur gjithashtu “EU Inc”, që do t’u lejojë kompanive të operojnë në të 27 vendet anëtare sipas një kornize të përbashkët rregullash korporative.
Von der Leyen tha se kompanitë do të mund të themelohen në mënyrë digjitale brenda 48 orësh dhe të operojnë sipas një sistemi të unifikuar në të gjithë BE-në. Ndërkaq, Costa theksoi se ky regjim duhet të bazohet në një rregullore dhe jo në një direktivë, për të shmangur zbatimin e ndryshëm në nivel kombëtar.
Liderët gjithashtu mbështetën përshpejtimin e agjendës së thjeshtimit rregullator. Von der Leyen bëri të ditur se janë në zhvillim 10 paketa omnibus për uljen e barrës administrative, duke vlerësuar se reduktimi i burokracisë mund t’u kursejë kompanive evropiane rreth 15 miliardë euro në vit.
– “Kampionët evropianë” dhe investimet
Liderët ranë dakord se rritja e investimeve është thelbësore për forcimin e konkurrueshmërisë, duke mbështetur avancimin e Unionit të Kursimeve dhe Investimeve për krijimin e tregjeve më të thella dhe të integruara të kapitalit.
Von der Leyen tha se faza e parë duhet të përfundojë deri në qershor, ndërsa bashkëpunimi i zgjeruar midis vendeve të gatshme mbetet një opsion në rast të vonesave.
Gjithashtu u diskutua krijimi i “kampionëve evropianë” në sektorë strategjikë, përfshirë telekomunikacionin, përmes rishikimit të rregullave të bashkimeve të kompanive. Një draft pritet në muajin prill.
Si sektorë prioritar u identifikuan mbrojtja, hapësira, teknologjitë e pastra, teknologjitë kuantike, inteligjenca artificiale dhe sistemet e pagesave.
Komisioni Evropian planifikon të paraqesë një Akt për Përshpejtimin Industrial, i cili do të përfshijë edhe një mekanizëm të synuar “preferencë evropiane” në sektorë të caktuar.
– Energjia dhe tranzicioni i gjelbër
Në fushën e energjisë, liderët riafirmuan se tranzicioni i gjelbër mbetet zgjidhja afatgjatë për uljen e çmimeve dhe forcimin e autonomisë strategjike, ndërsa kërkuan masa pragmatike afatshkurtra për të adresuar kostot e larta të energjisë elektrike.
“Dua të jem i qartë, në vitin 2026, Evropa do të japë rezultate. E bëmë për mbrojtjen vitin e kaluar, do ta bëjmë për konkurrueshmërinë këtë vit”, tha Costa.







