Bosnje-Hercegovina ka një vend në zemër të Bashkimit Evropian. Ju jeni pjesë e Evropës dhe i përkisni bllokut. Ishte prekëse të shikoje flamurin evropian që shkëlqente në tre monumente ikonë në Sarajevë, Banja Luka dhe Mostar për të festuar propozimin për dhënien e statusit kandidat Bosnje-Hercegovinës, deklaroi presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë një vizite zyrtare në Sarajevë.
“Është suksesi juaj dhe ju duhet të jeni krenarë për të. Me punën tuaj politike, vendi ka mundësi vetëm një herë në një gjeneratë për të ecur përpara. Ky është momenti i Bosnje-Hercegovinës dhe do të doja të inkurajoja secilin prej jush që ta shfrytëzonte këtë moment”, theksoi presidentja e KE-së.
“Ky është kuptimi i rekomandimit tonë për të dhënë statusin e kandidatit në BE”, shtoi ajo.
Pak më shumë se dy javë më parë, Komisioni Evropian i propozoi Këshillit Evropian për t’i dhënë statusin e kandidatit Bosnje-Hercegovinës.
Megjithatë, Sarajeva do të duhet të plotësojë një sërë kushtesh për të kaluar në fazën tjetër që përfshin hapjen e negociatave të pranimit në BE.
Çështja do të diskutohet në samitin e liderëve evropianë të planifikuar në dhjetor, i cili është përgjegjës për t’i dhënë dritën jeshile rekomandimeve të ekzekutivit të BE-së. /atsh


