Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Belgjikë, mijëra persona protestojnë kundër projektligjit që kufizon protestat

Belgjikë, mijëra persona protestojnë kundër projektligjit që kufizon protestat

Mijëra persona protestuan në kryeqytetin e Belgjikës, Bruksel, kundër projektligjit të qeverisë federale i cili do të vendosë kufizim ndaj të drejtës për të protestuar, raporton Anadolu.

Mijëra njerëz nga sindikatat dhe organizatat jofitimprurëse në të gjithë vendin protestuan kundër projektligjit të propozuar nga ministri federal i Drejtësisë, Vincent Van Quickenborne, i cili synon të identifikojë njerëzit që marrin pjesë në protesta me qëllimin për të shkaktuar trazira dhe t‘i pengojë ata të marrin pjesë përsëri.

Turma u mblodh në bulevardin Botanik, kaloi nëpër rrugët e mbyllura për trafikun në qendër të qytetit dhe marshuan drejt ndërtesës ku ndodhet zyra e Quickenborne.

“Ky është një ligj i bërë për të penguar protestat. Para së gjithash, pavarësisht se protesta është një e drejtë, ajo paraqet rrezikun që të gjithë të trajtohen si kriminelë. Në Belgjikë e drejta për të protestuar ekziston prej shumë kohësh dhe ajo duhet të mbetet e tillë”, tha Josbert Ntwari, nga sindikatat CSC për Anadolu.

Edhe Katrien Allaert, nga Sindikata Liberale CGSLB tha gjithashtu se janë të shqetësuar se projektligji i cili po pret miratimin e parlamentit federal, do të shkaktojë edhe fajësimin e njerëzve që dalin në rrugë për të ushtruar të drejtën e tyre për të protestuar në mënyrë paqësore.

“Në ligj ka shumë pak masa për të mbrojtur të drejtat e protestuesve paqësorë”, u shpreh Allaert.

Ndërsa Florence Kroff nga organizata jofitimprurëse me emër FIAN Belgium, deklaroi se: “Ky ligj mund të përdoret edhe për shumë situata të tjera. E drejta e protestimit në Belgjikë ndodhet nën kërcënim serioz”.

Trafiku në Bruksel përjetoi ndërprerje serioze për shkak se në protestë morën pjesë edhe kompanitë e transportit publik STIB, De Lijn dhe TEC.