Benzema ia siguron fitoren Realit
Real Madridi e ka fituar ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Chelseat për të bërë një hap drejt kualifikimit në gjysmëfinale.
Në duelin e luajtur të mërkurën mbrëma në “Stamford Bridge”, Reali ka triumfuar me rezultatin 3:1.
Më i merituari për këtë fitore të Realit ishte sulmuesi Karim Benzema që shënoi “hat-trick”. Benzema shënoi dy gola në pjesën e parë dhe një tjetër në të dytën për t’i dhënë fund çështjes së fituesit në këtë përballje.
Në anën tjetër, golin e nderit për kampionin në fuqi e realizoi Kai Havertz në pjesëlojën e parë.
Ndeshja e kthimit ndërmjet këtyre dy skuadrave, do të zhvillohet javën tjetër në stadiumin “Santiago Bernabeu” në Madrid.








