BIK-u nis shpërndarjen e mishit të kurbanëve

Ka kaluar tashmë një javë nga festa më e rëndësishme e myslimanëve, ajo e Kurban Bajramit.

Festat e tilla shënojnë në ndërgjegjen e qytetarëve ndihmën për të varfrit dhe nevojtarët.

Bashkësia Islame me këtë rast ka organizuar prerjen e kurbaneve, të cilat do t’u shpërndahen qytetarëve në nevojë.

Drejtori i shoqatës humanitare “Bereqeti” Fitim Flugaj njofton se ka filluar shpërndarja e mishit të kurbanit nëpër degët e kësaj shoqate.

“Po janë gjithsej 16 ton mish, që do të shpërndahen sot nëpër qendrat e shoqatës “Bereqeti” në Prishtinë, Podujevë, Lipjan, Drenas, Obiliq dhe Fushë Kosovë. Këta mish do t’u shpërndahet familjeve nevojtare përmes shoqatës sonë.”
Pasi që të shpërndahet nëpër gjitha komunat e Kosovës, shoqata “Bereqeti” njofton se me mish kurbani do të furnizohen edhe institucionet e ndryshme të vendit, si shoqatat e të verbërve, shoqatat e hendikepëve, e po ashtu edhe nëpër qendra dhe institucione sociale, gjithnjë në koordinim me drejtoritë e komunave për shëndetësi dhe punë sociale.

Fitim Flugaj tha se 90% nga ky mish do t’u kthehet qytetarëve, të cilët kontribuuan që të prehen këta kurban, ndërsa 10% do t’u ndahet medreseve për nxënësit të cilët vijojnë mësimin aty.

Këtë vit Bashkësia Islame ka marrë 8617 porosi për kurban nga qytetarët e Kosovës.