Bilanci i viktimave nga përplasja e trenave me shpejtësi të lartë në Spanjë u rrit në 41 të martën, ndërsa vendi nisi tre ditë zie kombëtare për aksidentin hekurudhor më vdekjeprurës në më shumë se një dekadë, raporton Anadolu.
Përplasja ndodhi vonë të dielën pranë qytetit Adamuz në rajonin jugor të Andaluzisë.
Një tren me shpejtësi të lartë, i operuar nga kompania private hekurudhore Iryo dhe që udhëtonte nga Malaga drejt Madridit, doli nga shinat dhe hyri në trajektoren e një treni tjetër që vinte përballë, i operuar nga operatori publik hekurudhor i Spanjës, Renfe. Edhe treni i Renfe-s doli nga shinat pas përplasjes.
Ministri i Transportit, Oscar Puente, i tha transmetuesit spanjoll RNE se bilanci i viktimave u rrit të martën pasi u gjet një trup, pasi u hoq një nga vagonët e përfshirë në aksident.
Më shumë se 120 persona u plagosën, ndërsa 39 po trajtohen ende në spital, përfshirë katër fëmijë, sipas qeverisë së Andaluzisë.
Shkaku i aksidentit mbetet i paqartë.
“Gjithçka deri tani ka qenë spekulim”, tha Puente, duke shtuar se një ekip ekspertësh po shqyrton nëse shinat e dëmtuara “kanë qenë shkaku i aksidentit apo pasojë e daljes nga shinat”.
Hetuesit thanë gjithashtu të martën se do të ekzaminojnë vagonin e gjashtë të trenit të Iryo-s, për të cilin besojnë se ka qenë i pari që doli nga shinat. Policia spanjolle ka kërkuar që vagoni të lihet në vendin ku ndaloi, në mënyrë që të ekzaminohet me kujdes si pjesë e hetimit.
Ndërsa vendi shënoi ditën e parë të zisë kombëtare të martën, flamujt u ulën në gjysmë shtize në ndërtesat publike në mbarë Spanjën.
Prezantuesit televizivë veshën të zeza, ndërsa ministrat kufizuan paraqitjet publike në shenjë respekti për viktimat.
