Bimët mjekësore që sjellin përfitime për shëndetin e trurit dhe gjithë organizmit

Aktiviteti i trurit është unik tek çdo individ dhe mund të krahasohet me gjurmët e tij të gishtave.

Kur njeriu zgjohet nga gjumi, truri i tij arrin të prodhojë mjaftueshëm elektricitet sa të ndezë një llambë të vogël. Truri është organi me përmbajtjen më të madhe yndyrore që arrin deri në 60 %. Kjo është arsyeja përse një regjim ushqimor i pasur me acide yndyrore siç janë omega-3 dhe omega-6, është thelbësor për shëndetin e trurit. Përveç acideve yndyrore, truri ka nevoja të mëdha të cilat plotësohen edhe nëpërmjet barishteve dhe erëzave.

Trëndafili i egër

Kokrrat e Trëndafilit të Egër janë nga bimët medicinale me efektet më të fuqishme në organizmin e njeriut. Trëndafili i egër është një nga elementët që duhen përdorur në mekanizmat mbrojtës të trupit. Mund ta përdorni si çaj duke shtypur 4-5 kokrra trëndafili të egër e t’i zieni më pas në një gotë ujë.

Sherebela

Sherebela është një bimë mjekësore shumë e mirë për kujtesën. Studimet më të fundit mjekësore kanë konfirmuar se sherebela është e rëndësishme për shëndetin e njerëzve që vuajnë nga Alzheimeri. Sherebelën mund ta konsumoni në formën e çajit, duke zjerë në një filxhan çaji ujë 7-8 gjethe të freskëta sherebele ose 2 lugë çaji gjethe të thata. Nëse preferoni mund ta ëmbëlsoni me mjaltë.

Bari i bletës

Sipas të dhënave, bari i bletës është një barishte shumë e mirë për përmirësimin e funksionit dhe aftësive të trurit. Ai rekomandohet edhe kundër ankthit dhe pagjumësisë.

Kanella

Kjo erëz përmban shumë antioksidantë. Ajo lufton inflamacionin dhe e bën njeriun më të vëmendshëm dhe vigjilent. Thjesht aroma e kanellës ka aftësi të përmirësojë funksionet e trurit. Ajo konsiderohet si një element i mirë në trajtimet kundër sklerozës. Mund ta përdorni në çaj.

Piperi i zi

Piperi i zi përmban piperinë, një substancë natyrale që përmirëson funksionin e trurit dhe zbut simptomat e depresionit.

Majdanozi dhe trumza

Këto barishte përmbajnë apigeninë, e cila është shumë e rëndësishme për formimin e neuroneve. Sipas studimeve të cilave u referohet AgroWeb.org, rekomandohet përfshirja e tyre si çaj në trajtimet kundër depresionit dhe Alzheimerit.

Rozmarina

Aroma e rozmarinës i jep shtysë pozitive trurit me një nuhatje të vetme. Acidi karnosik që është përbërësi aktiv i rozmarinës e mbron trurin nga radikalet e lira dhe nga ishemia.