Zyrtarë amerikanë dhe ukrainas nisën bisedime dypalëshe në Gjenevë, një javë pas negociatave trepalëshe ku ishte e përfshirë edhe Rusia në të njëjtin qytet, ndërsa përpjekjet për t’i dhënë fund luftës vazhdojnë, në një kohë kur konflikti këtë javë hyri në vitin e pestë, transmeton Anadolu.
“Sot në Gjenevë po vazhdojmë punën tonë në kuadër të procesit negociator. Ka nisur një takim dypalësh me delegacionin amerikan, me Steve Witkoff dhe Jared Kushner”, shkroi në platformën sociale amerikane X kryenegociatori i Ukrainës, Rustem Umerov.
Umerov tha se delegacioni ukrainas përfshin deputetin Davyd Arakhamia, ministrin e Ekonomisë, Oleksii Sobolev dhe zv/ministren e Ekonomisë, Daryna Marchak.
“Së bashku me ekipin ekonomik të qeverisë, do të punojmë në detaje mbi paketën e prosperitetit, mekanizmat për mbështetjen ekonomike dhe rimëkëmbjen e Ukrainës, instrumentet për tërheqjen e investimeve dhe kornizat për bashkëpunim afatgjatë”, tha ai.
Umerov shtoi se së bashku me Arakhamian, do të diskutojë edhe përgatitjet për raundin e ardhshëm të negociatave trepalëshe me përfshirjen e Rusisë.
“Një çështje e rëndësishme është dimensioni humanitar dhe çështja e shkëmbimeve të mundshme. Presim rezultate konkrete lidhur me kthimin e qytetarëve tanë. Jemi të përqendruar te zgjidhjet praktike. Do të informojmë për rezultatet pas përfundimit të takimit”, tha ai.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy diskutoi agjendën e takimit me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, në një telefonatë dje, ku morën pjesë edhe i dërguari i posaçëm Steve Witkoff dhe Jared Kushner, dhëndri i Trumpit.
“Presim që ky takim të krijojë një mundësi për t’i çuar bisedimet në nivel liderësh. Presidenti Trump e mbështet këtë renditje hapash. Kjo është e vetmja mënyrë për të zgjidhur të gjitha çështjet komplekse dhe të ndjeshme dhe për t’i dhënë fund luftës”, shkroi Zelenskyy në X pas telefonatës.
Ai sinjalizoi gjithashtu se bisedimet e ardhshme trepalëshe për paqen mund të zhvillohen “që në fillim të marsit”.
Bisedimet e ndërmjetësuara nga SHBA-ja javën e kaluar në Gjenevë nuk prodhuan marrëveshje. I dërguari i presidentit rus, Vladimir Medinsky, i cilësoi ato si “të vështira, por korrekte”, ndërsa Umerov tha se diskutimet ishin “intensive dhe thelbësore”.




