Brazil, rritet në 58 numri i të vdekurve nga shembja e digës

Si pasojë e shembjes së digës në një minierë hekuri, aksident që ndodhi të premten në juglindje të Brazilit, numri i të vdekurve ka arritur në 58, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas mediave lokale, të paktën 305 të tjerë janë raportuar të zhdukur pas incidentit vdekjeprurës në shtetin juglindor Minas Gerais.

Operacionet e kërkim-shpëtimit kanë vazhduar në zonë pasi pushuan shqetësimet për një kolaps të dytë në një tjetër digë të afërt, në pronësi të të njëjtës kompani, Vale SA.

“Ne do të përpiqemi t’i gjejmë të mbijetuarit dhe të arrijmë tek ata”, tha Flavio Godinho, zëdhënës i Institucionit të Mbrojtjes Civile të shtetit Minas Gerais.

Përveç kësaj, Departamenti i zjarrfikësve njoftoi se 23 persona janë shtruar në spital.

Pas shpërthimit të digës, autoritetet kanë evakuuar rreth 3.000 persona nga qyteti brazilian Brumadnho.

Sipas autoriteteve braziliane, diga u shemb përderisa punëtorët po drekonin dhe ekipet e shpëtimit nuk mund të arrinin në sallën e ngrënies e cila u fundos në baltë.

Një tjetër digë e minierave e menaxhuar nga Vale SA dhe Australia BHP Billton po ashtu u shemb në vitin 2015, duke lënë të vdekur 19 persona dhe duke lënë pastrehë qindra të tjerë në qytetin Mariana të shtetit Minas Gerais.