Brazil, shkon në 34 numri i viktimave nga shembja e digës

Arrin në 34 numri i të vdekurve nga shembja e digës në shtetin juglindor Minas Gerais në Brazil, njoftojnë mediat lokale, transmeton Anadolu Agency (AA). Qindra njerëz llogariten të zhdukur pas shembjes së digës në një minierë hekuri në juglindje të vendit, shkruan e përditshmja braziliane Folha De S.Paulo duke cituar Departamentin zjarrfikës të Minas Gerais. Departamenti zjarrfikës tha se 23 persona janë në spital. Kompania “Vale SA” në një deklaratë tha se mbeturinat e minierës nga shembja e digës kanë arritur deri në qytetin e afërt Brumadinho dhe se vazhdojnë përpjekjet e evakuimit. Sipas drejtorit ekzekutiv të kompanisë, të paktën 427 persona, kryesisht punëtorë të minerës, ishin në vendngjarje dhe 279 prej tyre janë shpëtuar. Ende nuk dihen saktësisht shkaqet për shembjen e digës. Ndërkohë, presidenti brazilian Jair Bolsonaro shprehu pikëllimin e thellë rreth incidentit, duke dërguar tre ministra në zonën e fatkeqësisë. Një tjetër digë e mbeturinave të minierës e menaxhuar nga Vale dhe BHP Billiton e Australisë u shemb në vitin 2015, duke marrë 19 jetë njerëzish dhe duke lënë qindra të pastrehë në qytetin Mariana në shtetin Minas Gerais.