Brengat dhe vështirësitë e jetës

Rejhan Neziri

All-llahu xh.sh. njeriun e ka krijuar si një qenie e cila është e përbërë prej trupit dhe shpirtit. Edhe trupi edhe shpirti kanë nevojat e tyre të caktuara. Me përmbushjen e këtyre nevojave në masë të caktuar, mëtohet të sigurohet baraspesha dhe lumturia e jetës. Çdo anim kah njëra prej këtyre anëve, nënkupton dëmtim dhe çrregullim nga ana tjetër. Në qoftë se më tepër angazhohemi për anën fizike – trupore, do të mbetemi mbas me anën mentale – shpirtërore tonën. E njëjta ndodh edhe me të kundërtën. Në qoftë se më tepër rëndësi i japim jetës së kësaj bote, do të na mbetet anash jeta e botës tjetër; në qoftë se më tepër rëndësi i japim jetës së Ahiretit, do të na mbetet anash dhe mbas jeta e kësaj bote, e cila është kusht për arritjen e lumturisë në botën tjetër.

Te njeriu i kohës së sotme vërehet një ngarendje e madhe pas sigurimit të pasurisë së kësaj bote, të cilën botë sikur po e kupton si të vetmen botë pas së cilës nuk ka Ahiret. Tek ai vërehet një brengë dhe shqetësim i madh për ta siguruar lumturinë e kësaj jete. Atë e shohim të depresionuar, të molisur e të lodhur fare nga gajlet e jetës, nga gajlet e fitimit dhe shtimit të pasurisë dhe nga garat e pamëshirshme që bëhen në këtë drejtim. Përfundimisht atë e shohim te mjeku, te psikiatri ose në spitalin e të çmendurve.

Përderisa shumica e makinave kanë nevojë për vaj, për ta zbutur fërkimin e pjesëve të tyre e për ta mbajtur atë të padëmtuar, edhe trupi e shpirti i njeriut kanë nevojë për një lloj vaji, i cili do ta zbutë fërkimin e ashpër midis njeriut dhe realitetit që e rrethon.

Një mjek i quajtur Harldson Habin thotë: “Kam studiuar 176 raste të njerëzve të punësuar të moshës 44 vjeçare dhe kam konstatuar se më tepër se 1/3 prej tyre vuan prej njërës nga këto tri sëmundje të shkaktuara prej shqetësimit dhe depresionit nervor, e ato janë: çrregullimi i ritmit të zemrës, të thatët në lukth dhe shtypja e gjakut”. Tani po pyes: a është ky çmimi i suksesit, që gjithsesi duhet ta paguajmë?A quhet sukses realizimi i një qëllimi duke fituar të thatët ose sëmundjen e zemrës? Ç’të duhet kjo dunja me zemër të sëmurë e me të thatë në bark? Sikur dikush ta kishte gjithë dunjanë në dorë, përsëri do të flinte në një krevat dhe do të hante e pinte aq sa ka nevojë e mundësi, aspak më tepër.

Një psikolog tjetër shkruan: “37 vjet kam jetuar në Nju Jork dhe asnjëherë askush nuk më trokiti në derë e të më paralajmëronte për sëmundjen e quajtur shqetësim e depresion, që është një sëmundje që për këto 37 vjet ka shkaktuar dëm 10 mijë herë më tepër sesa fruthi”.

Në dritën e këtyre rasteve të hidhura që sot po e mbështjellin dhe kaplojnë jetën e njeriut modern, dëshiroj t’i përmend disa fjalë të All-llahut xh.sh. dhe të Pejgamberit a.s.. All-llahu xh.sh. në ajetin që e përmendëm në fillim të hutbes thoshte: „Ata që besuan dhe zemrat e të cilëve gjejnë prehje duke përkujtuar All-llahun: Nuk ka dyshim se në përkujtimin e All-llahut vërtet që zemrat gjejnë prehje. Ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, për ta ka sihariq (myzhde) dhe vendi më i bukur për t’u kthyer më në fund“ (er-Ra’d:28-29).

Mu’min (besimtar) i vërtetë është ai që beson se All-llahu xh.sh. është Krijuesi i gjithçkaje dhe se kjo gjithçka është në dorën e Tij, ndaj edhe pasuria e kësaj bote po edhe vetë njeriu me gjithë çka ka. Ky mu’min do ta gjejë qetësinë dhe prehjen fizike e shpirtërore vetëm duke besuar në këtë mënyrë dhe duke e përkujtuar këtë të vërtetë të madhe. Ngarendja pas pasurisë së kësaj bote për të përfituar më tepër sesa kemi nevojë është burimi i të gjitha të këqijave, i të gjitha brengave e gajleve dhe i të gjitha sëmundjeve trupore e mendore. Pejgamberi a.s. thotë: “Kush i bashkon të gjitha brengat në një, All-llahu do ta ruajë atë prej brengave të kësaj bote; e kush i ndanë brengat dhe i shumëzon ato, për All-llahun nuk do të ketë rëndësi se në cilën pjesë të tokës do të shkatërrohet ai”.

Dashuria ndaj pasurisë krijon një lakmi aq të fortë sa mund të shkaktojë edhe çrregullimin e vetëdijes e të organizmit. Një psikolog thotë: “Është fakt i pamohueshëm rasti se kur në bursën e aksioneve bien çmimet, te aksionarët rritet sasia e sheqerit në gjak dhe urinë”.

A ka ilaç më të mirë për këtë sëmundje sesa fjala e Pejgamberit a.s., kur thotë: “Vërtet që pasuria e kësaj bote është e bukur dhe e ëmbël. Ajo do të jetë e bereqetshme dhe e bekuar për atë që e fiton me zemërgjerësi dhe me duar bujare, kurse e mjerueshme dhe e pabereqetshme për atë që e fiton vetëm për ngritjen personale dhe ky do të jetë sikur ai që ha vazhdimisht e nuk ngopet dot”.

Në një rast tjetër ai thotë: “O njerëz! Zenginllëku nuk vjen prej pasurisë së madhe e të tepërt, por prej zenginllëkut të zemrës. Vërtet All-llahu i jep robit të vet aq sa i ka caktuar si nafakë, prandaj atë lypeni në mënyrë të bukur! Merreni atë që është hallall dhe lëreni atë që është haram!

Në këto dhe në shumë hadithe të tjera të Muhammedit a.s flitet për këtë lloj kënaqësie – pra të pajtohesh me atë që ke – si burim i lumturisë dhe i kënaqësisë. Me këto Pejgamberi a.s. nuk nënkupton gjë tjetër pos kontrollimit të përpjekjeve gjatë kërkimit të nafakës dhe qortimit të dëshirave të pafund, të cilat mund të bëhen shkak për krijimin e armiqësive e të ligave të shumta individuale e shoqërore. Kjo, kurrsesi nuk nënkupton ndejën duarkryq dhe pritjen e nafakës të bjerë nga qielli, por fitimin e pasurisë në mënyrë të ndershme e hallall dhe harxhimin e saj po në këtë mënyrë.

Ebu Seid el-Hudriu transmeton: “Një ditë Pejgamberi a.s. hyri në xhami ku e pa Ebu Umamen dhe i tha: ‘O Ebu Umame, po të shoh se rrish në xhami edhe jashtë kohëve të namazit, ç’është me ty?!’ Ebu Umame i përgjigjet: ‘Më kanë kapluar gajlet dhe borxhet, ja Resulall-llah!’ Atëherë Pejgamberi a.s. i tha: ‘A dëshiron të t’i mësoj disa fjalë që kur t’i thuash ato, All-llahu të t’i largojë gajlet e të t’i shpaguajë borxhet?!’ Ai i tha: ‘Sigurisht, o i Dërguar!’ Atëherë Pejgamberi a.s. i tha: ‘Sa herë kur të ngrihesh në mëngjes e kur të të zërë nata, thuaj: O Zot, më ruaj nga gajlet dhe pikëllimi, më ruaj nga paaftësia dhe dembelia, më ruaj nga ligështia dhe koprracia (dorështërngueshmëria) dhe më ruaj nga vështirësitë, nga borxhet dhe nga nëpërkëmbja e njerëzve!” Më vonë Ebu Umamja ka pas thënë: “Këtë e bëja vazhdimisht dhe All-llahu m’i largoi gajlet dhe borxhet”.

Dikush mund të kujtojë se duaja (lutja) është një qëndrim negativ ndaj jetës, sipas tyre duaja thjesht është një paraqitje e nevojave dhe pritje që ato të realizohen vetvetiu!

Në qoftë se duaja fiton këtë kuptim, atëherë ajo nuk është gjë tjetër pos paraqitje e nevojave dhe pritje që ato të realizohen nga një e nesërme e panjohur. Një dua e tillë është e pakuptimtë dhe nuk ka kurrfarë vlere tek All-llahu xh.sh. Duaja, para së gjithash, do të thotë ta përcaktosh drejtimin dhe planin kah do të lëvizësh, ta përcaktosh qëllimin final të jetës sate drejt të cilit duhet të ecësh e të përpiqesh ta arrish, e jo shtrirje në kokë të shpinës e të presësh që ai qëllim të realizohet vetvetiu. All-llahu xh.sh. thoshte: “Nuk ka dyshim se në përkujtimin e All-llahut vërtet që zemrat gjejnë prehje.”

Nga: Rejhan Neziri