Britania do të vazhdojë ndihmën ushtarake për Ukrainën

Kryeministrja e re e Britanisë së Madhe, Liz Truss do të tentojë të barazojë ose të tejkalojë 2.3 miliardë paundë (2.63 miliardë dollarë) ndihmë ushtarake për Ukrainën në vitin 2023, thuhet sot në njoftimin e qeverisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Truss do ta bëjë njoftimin në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së këtë javë në New York, ku ajo shkoi pas funeralit shtetëror të mbretëreshës Elizabeth II të hënën.

Truss do të “forcojë angazhimin e Britanisë për sigurinë dhe integritetin territorial të Ukrainës, me njoftimin se Britania do të arrijë ose tejkalojë mbështetjen tonë ushtarake rekord të vitit 2022 për Ukrainën vitin e ardhshëm”.

“Kryeministri do të tregojë këtë sukses si dëshmi të asaj se çfarë mund të bëjë populli ukrainas me mbështetjen e demokracive tjera”, thuhet në njoftim, duke shtuar se bota po “dëshmon një moment të rëndësishëm në luftën në Ukrainë, me territorin në lindje të vendit të çliruar nga Forcat e Armatosura të Ukrainës”, në dy javët e fundit.

“Fitoret e Ukrainës në javët e fundit kanë qenë frymëzuese. Herë pas here këta njerëz trima kanë sfiduar dyshuesit dhe kanë treguar se çfarë mund të bëjnë kur u jepet mbështetja ushtarake, ekonomike dhe politike që u nevojitet”, tha Truss.

“Mesazhi im për popullin e Ukrainës është ky: Britania e Madhe do të vazhdojë të jetë pas jush në çdo hap të rrugës. Siguria juaj është siguria jonë”, tha ajo.

Sipas njoftimit, Britania është tashmë donatori i dytë më i madh ushtarak në Ukrainë, me 2.3 miliardë paund në vitin 2022.

“Ne kemi trajnuar 27 mijë anëtarë të Forcave të Armatosura të Ukrainës që nga viti 2015, ndërsa në vitin e fundit kemi siguruar qindra raketa, pesë sisteme të mbrojtjes ajrore, 120 automjete të blinduara dhe mbi 200 mijë pjesë të pajisjeve ushtarake jo-vdekjeprurëse”, theksohet më tej.

Në njoftim thuhet se “natyra e saktë e mbështetjes ushtarake të Britanisë në vitin 2023 do të përcaktohet bazuar në nevojat e Forcave të Armatosura të Ukrainës”. /aa