Britania kërkon shtyerjen me tre muaj të afatit për daljen nga BE

Kryeministrja britanike Theresa May i kërkoi Bashkimit Evropian të mërkurën të shtyjë afatin e daljes së Britanisë me tre muaj, deri më 30 qershor.

Dalja e Britanisë nga BE-ja është parashikuar të ndodhë më 29 mars, por parlamenti nuk ka qenë në gjendje pas disa procesesh votimi të bjerë dakord mbi kushtet e largimit të vendit. Ligjvënësit kanë debatuar rreth hollësive të kalimit të përditshëm në kufirin mes Irlandës anëtare të BE-së dhe asaj pjese të Irlandës së Veriut që kontrollohet nga Londra, së bashku me çështje të tregtisë.

Çdo shtyrje e afatit për daljen nga BE-ja ka nevojë për miratimin e të gjitha vendeve anëtare, që pritet të zhvillojnë një takim të enjten në Bruksel. Bisedimet e Britanisë me BE-në kanë zgjatur më shumë se dy vjet.

Presidenti i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker tha të mërkurën se BE-ja nuk është e hapur për negociata të mëtejshme mbi daljen e Britanisë nga blloku dhe nuk ka gjasa të vendosë këtë javë nëse do t’i mundësojë Britanisë një shtyrje të afatit për daljen, e parashikuar të ndodhë më 29 mars.

Deri tani, Dhoma britanike e Komuneve ka hedhur poshtë me vendosmëri kushtet që negociatorët britanikë dhe ata të BE-së arritën pas dy vjet bisedimesh dhe ka sinjalizuar gjithashtu një kundërshtim për ta realizuar shkëputjen pa marrëveshje./Opinion.al