Bujaria e Allahut xh.sh.

Eduart Thartori

Allahu nuk e përzuri Ademin nga Xheneti. Përkundrazi, Ai e mësoi atë në Xhenet. Ia mësoi si të kërkojë falje, dhe e fali.

Si mendoni, nëse një mik do t`u vinte në shtëpi. Do ta respektonit, do t`i dhuronit atij gjithë të mirat tua?! Do t`i lejonit të rrinte si në shtëpinë e tij?! Oborri i shtëpisë të ishte krejt i hapur për të! Brendia e shtëpisë të ishte krejt e hapur për të! Të rrijë aty sa të dojë, të ushqehet si të dojë! Të hapë frigoriferin vetë, e të marrë çfarë të dojë! Nëse do para, ti i jep sa të dojë!
Mirëpo, pas gjithë këtyre të mirave, i thua atij: “Të gjitha janë tuat, ha, jeto sa të duash, kënaqu, por vetëm një amanet e kam: “Mos e hap atë kutinë e bizhuterive aty”, sepse është çështje personale imja.”
Miku yt, ngacmohet. Diçka e gërryen përbrenda. Pse jo atë kuti? Ai mi ka lënë të gjitha, por atë kuti, jo. Çfarë ka aty? Pse mos ta hapë e ta shoh?
E në fakt, shejtani e nxit nga ana e tij dhe ai shkon e hap dhe merr bizhuteritë e saj.
Kur vini në shtëpi, çfarë do të bënit me këtë njeri?
Nuk ka askund në këtë dynja që nuk do të më thotë se do ta kapja për fyti dhe do ta përzija me shkelma nga shtëpia. E di se çdokush do ta bënte këtë.
Por, tek Allahu nuk funksionon kështu. Ademi a.s. u krijua nga Allahut xh.sh. dhe u perfeksionua në formën më të bukur. Allahu i tha atij, se Xheneti është krejt në dispozicionin e tij, ama mes gjithë të mirave të Xhenetit është një pemë që nuk duhet të hajë prej frutave të saj. Ndërsa Ademi bëri pikërisht këtë. Shkoi dhe hëngri prej frutave të asaj peme.
Por Allahu nuk reagoi si njeriu, në lidhje me shpagimin ndaj Ademit.
Ai e dinte në fakt se Ademi do ta bëjë këtë kundërshtim të ndalesës së Tij, sepse Allahut xh.sh. nuk i fshihet asgjë.
Dikush do të më thotë: “Dakord edhe Allahu e përzuri Ademin nga Xheneti, sepse hëngri nga kjo pemë e ndaluar.” Por nuk është fiks kështu.
Në asnjë vend në Kuran nuk thuhet se Ademi u përzu nga Xheneti dhe as se arsyeja ishte ngrënia e pemës së ndaluar.
Ajo që ndodhi ishte, se menjëherë pas kundërshtimit të urdhrit, Ademit dhe gruas së tij Havasë, iu zhduk drita e shenjtërisë që i mbulonte trupat e tyre. Nga humbja e saj, atyre iu dukën pjesët e turpshme. Kjo bëri që ata të mbledhin gjethe nga Xheneti që të mbulohen me to.
Mirëpo Allahu nuk e përjashtoi Ademin nga Xheneti. Përkundrazi.
Allahu e dinte edhe zemrën e Ademit, tashmë të penduar nga kundërshtimi që kishte bërë. E dinte se ajo ishte e penduar. Por nuk dinte si të shprehej. Andaj Allahu i mësoi Ademit se si të kërkonte falje për këtë vepër. E sapo Ademi kërkoi falje, Allahu menjëherë ia fali.
Po pse atëherë Allahu e përzuri Ademin nga Xheneti?
Allahu nuk e përzuri Ademin nga Xheneti. Në asnjë vend në Kuran, as në hadith nuk thuhet kjo. Pasi në fakt atë (Xhenetin) ia ka caktuar shtëpi për Ademin dhe krejt pasardhësit e tij besimtarë, që në fillim të herës.
Atëherë kur do të krijohej Ademi, Allahu tha se do të krijojë një kujdestar për Tokën. Pra me këtë kuptojmë se Ademi ishte krijuar për një mision. Dhe ai mision nuk ishte në Xhenet, por në planetin Tokë. Qëndrimi i Ademit në Xhenet, dhe vetë sprovimi i tij me pemën e ndaluar, ka të bëjë me një tjetër arsye.
Si kujdestar i tokës, Ademit i duhej të kishte liri të plotë zgjedhje. Ai duhej të merrte vendimet e tij vetë. Të mira ose të këqija, por ato duhej të ishin vendime personale, të pa imponuara nga dikush. Madje as nga Allahu xh.sh..
Për këtë, ai kishte nevojë për një trajnim konkret. Kishte nevojë të vinte në punë emocionet e tij më të mira dhe më të këqija. Në Xhenet, Ademi shijoi shumë emocione, por nuk kishte shijuar akoma emocionin e lakmisë, kuriozitetit, kundërshtimit, emocionin e thyerjes së zemrës, pendimin dhe turpin. Për të gjitha këto ai kishte nevojë të trajnohej. Dhe vendi i duhur për trajnim ishte Xheneti, para se të vinte në një botë me ligje të tjera, ku nuk ofrohen shumë mundësi përmirësimi.
Pasi edhe këtë trajnim të veçantë e mori Ademi a.s., tashmë ishte gati për të shkuar në misionin e tij për të cilin u krijua. Ishte gati për të zbritur në dynja.
Në fillim të këtij shkrimi, folëm për bujarinë e Allahut. Por si ndodhi kjo me këtë zbritje të Ademit në tokë?
Allahu nuk e përzuri Ademin nga Xheneti. Përkundrazi, Ai e mësoi atë në Xhenet. Ia mësoi si të kërkojë falje, dhe e fali. Pastaj i premtoi se do të ketë vazhdimisht kujdesin dhe udhëzimin e Tij gjatë kohës që do të jetë në dynja. E në fund fare, kur të mbarojë me sukses misionin e tij në Tokë, do ta kthejë përsëri në Xhenetin që ia kish caktuar si banesë të tij të përhershme.
Kjo është bujaria e vërtetë, ky është kulmi i mëshirës, i dashurisë dhe i përkujdesjes që Allahu ka për krijesat e Tij.
Më tregoni pra kush tjetër veç Allahut e bën këtë?

Eduart Thartori
Dituria islame 378